Kosova

Kryetari Konjufca dhe ambasadorja Barišić flasin për forcimin e miqësisë midis Kosovës dhe Kroacisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadoren e Kroacisë në vendin tonë, Danijela Barišić, me të cilën bisedoi për zhvillimet në vend e rajon, bashkëpunimin midis dy shteteve mike dhe mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të tij.

Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet politike e diplomatike midis Kosovës dhe Kroacisë, duke konsideruar se ka ende hapësira për rritjen dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme, të cilat duhet të shfrytëzohen në të ardhmen.

Kreu i Kuvendit e konsideroi të rëndësishme përvojën parlamentare kroate dhe sidomos atë të integrimit evropian, të cilat, siç tha ai, mund t’i shërbejnë Kosovës si model në procesin e integrimit euro-atlantik dhe forcimin e mëtejmë të demokracisë parlamentare.

Konjufca theksoi nevojën që Kroacia të vazhdojë të jetë përkrahëse e Kosovës në institucioneve ndërkombëtare, në të cilat vendi ynë aspiron të anëtarësohet.

Ambasadorja kroate, Barišić, pasi uroi kryetarin Konjufca për detyrën e re, shprehu gatishmërinë e shtetit të saj për t’i ofruar Kosovës përvojën në rrugën e integrimit, duke garantuar gjithashtu mbështetjen e Zagrebit zyrtar për Prishtinën në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë.

Ajo e informoi kryetarin Konjufca për përparësitë e presidencës së Këshillit të BE-së nga Kroacia.

“Nën moton ‘Një Evropë e fortë në një botë sfiduese’, Kroacia do të trajtojë katër përparësi: një Evropë në zhvillim, një Evropë që lidh, një Evropë që mbron dhe një Evropë me ndikim”, tha Barišić.

Diplomatja kroate theksoi se Kroacia do të organizojë një samit të vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Zagreb në maj të këtij viti dhe shprehu besimin se samiti do të ishte një shtysë për vazhdimin e procesit të zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.​

Leave a Reply

Your email address will not be published.