Pa kategori

Kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati konfirmon se 34 persona nga kjo komunë, kanë dalë negativ në testet për koronavirus

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se 34 persona nga kjo komunë të testuar për koronavirus kanë dalë negativë. Në mesin e të testuarve ishin edhe 12 punëtorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kastrati ka thënë kujdesi duhet të vazhdoj njëjtë duke qëndruar në shtëpi pasi që kjo sëmundje është e panjohur dhe mund të prek secilin.

“12 punëtorë shëndetësor nga QKMF në Kamenicë si dhe 22 banorë të fshatit Topanicë të cilët u testuan, fatmirësisht rezultuan negativ për virusin SARS-CoV-2”, ka shkruar Kastrati.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas mesnate ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus, dukë bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 135. Që nga 8 shkurti, në laboratorin e IKSHP’së, janë testuar 1 mijë e 743 mostra të dyshimta për COVID-19, raporton Express.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Instituti ka njoftuar se mbrëmë janë testuar 138 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Infektivë dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, tri prej të cilave kanë rezultuar pozitive.

Rastet janë raste kontakti dhe të infektuarit janë nga Mitrovica e Veriut.

“Sot më 04.04.2020 (01:30 pas mesnate), në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR (testimi 2), janë testuar 138 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, tre (3) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.

IKSHP’ja ka njoftuar se në vazhdimësi orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

“Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.772 kontakte të rasteve”, njofton Instituti.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka dhënë detaje lidhur me moshën e të infektuarve. Sipas tij, dy prej pacientëve të hospitalizuar i takojnë moshës nën gjashtëvjeçare.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka bërë me dije se grupmosha e të prekurve me Covid -19 që kanë pasur nevojë më shumë për tretman spitalor është ajo mbi 70 vjeç.

“Ka numër të barabartë të pacientëve të grupmoshave prej 30-39 vjeçe deri në 60-69 vjeçe. Në Klinikë deri tash nuk ka pasur të hospitalizuar asnjë pacient me Covid nga grupmosha 10-19 vjeç”, ka shkruar Hoti.

Ai ka treguar se nga 13 marsi e deri më 3 prill, në këtë klinikë ka vdekur vetëm një pacient i prekur nga Covid-19, i njëjti ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në Kosovë më 13 mars. Për shkak të koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik. /Gazeta Express