Kryeqyteti vazhdon të jetë i papastër, qytetarët ankohen

Komuna e Prishtinës assesi nuk po mund ta vërë nën kontroll pastrimin e qytetit nga mbeturinat e përditshme por edhe ato inerte.

Qytetarët e Prishtinës po ankohen se sasi të mëdha të mbeturinave po grumbullohen çdo ditë, ndërsa fajësojnë komunën se nuk po vepron

Në gjendje më të keqe duket në lagjen Tophane. Banorët ankohen se është bërë e vështirë që qëndrohet në këtë vend, për shkak të erës së padurueshme që vjen si shkak i grumbullimit të bërllokut.

Në një përgjigje me shkrim nga kompania “Pastrimi” thonë se në rrugën “Vatra” në lagjen “Tophane” dhe në rrugën C, kompania bën largimin e mbeturinave sipas orarit të rregullt. Por problemi, sipas tyre është me hedhjen e mbeturinave inerte e të vëllimshme; parkimi i veturave që pengon marrjen e kontejnerëve, mungesa e kontejnerëve dhe hedhja e mbeturinave nga bizneset.

Drejtori komunal i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, e pranon që situata me menaxhimin e mbeturinave nuk është nën kontroll.

“Për ta vënë situatën nën kontroll , për të sanuar gjendjen emergjente me mbeturina  nevojitet sasi me mjaftueshme e kontejnerëve”, tha ai.

Brestovci thotë se ka një plan për ta zgjidhur çështjen e mbeturinave.

“Ne kemi marrë hapat e duhur dhe tani më veç ekziston  një kontratë e cila është nënshkruar me një operator ekonomik për furnizimin e kontejnerë”, thekson ai.

Komuna e Prishtinës është kritikuar në vazhdimësi nga qytetarët dhe opozita për menaxhim të dobët me mbeturinat, ndërsa komunarët kanë thënë se kanë hartuar një masterplan i cili do ta zgjidhë këtë çështje.

Go to TOP