Bota

Kryediplomati turk në Davos: BE nuk i mbajti premtimet që dha për vendet e Ballkanit

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu ka deklaruar se Turqia i kushton rëndësi të madhe stabilitetit të Ballkanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të Forumit të 50-të Ekonomik Botëror (WEF) që mbahet në Davos të Zvicrës, Çavusoglu mori pjesë në takimin e Dialogut të Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor me ç’rast tha se BE-ja nuk i mbajti premtimet për vendet e rajonit.

“Si një vend i Ballkanit, ne i kushtojmë rëndësi të madhe stabilitetit të Ballkanit dhe paqes së vëllezërve tanë atje. Bashkimi Evropian (BE) nuk i mbajti premtimet që dha për vendet e rajonit. Ai duhet të jetë gjithëpërfshirës, jo përjashtues”, tha Çavusoglu në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter pas takimit i cili u mbajt me dyer të mbyllura për median.

Në takimin e kryesuar nga kreu i WEF-së, Borge Brende morën pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Sllovenisë, Marjan Sarec, kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç, ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Kristalina Georgieva dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.