OPINION

Kriza e vetëdijes së shoqërisë shqiptare në kohën e pandemisë

Shkruan: Nexhmedin SAQIPI
Që nga koha e paraqitjes së viruseve me karakter botëror siç është ai i Koronës dhe Kovid – 19, shoqërinë njerëzore e në veçanti atë shqiptare e përfshiu një valë e re e krizës më shumë mendore se sa shëndetësore.

Kur themi kështu, kemi parasysh rrethanat kur u paraqit epidemia e një virusi të padukshëm dhe shumë të rrezikshëm për shëndetin e njerëzve, shtetet ku janë të përqendruar shqiptarët, nuk ishin të përgatitur për t’u ballafaquar me një fenomen të tillë.

Në Shqipëri epidemia erdhi menjëherë pas tërmeteve të njëpasnjëshme, që mbollën vdekje dhe lanë trauma te shqiptarët, të cilët nga shteti kërkonin të largoheshin nga shtëpia për shkak rrezikut për jetën e njerëzve, ku një numër i madh i tyre mbeti pa kulm në kokë. Pa u shëruar mirë plagët nga një katastrofë humanitare u paraqit virusi Korona, shteti përsëri reagoi, kësaj radhe me sloganin “Rrini në shtëpi!”, “Keni kujdes!”, “Mbajeni distancën!” etj.

Fenomenet

E këtyre fenomeneve kur i shtohen edhe probleme të tjera të natyrës politike si betejat e pakompromis midis pozitës dhe opozitës, si ato që po ndodhin rreth protestave rrugore, janë treguesit e qartë se shoqëria shqiptare në “shtetin e shqipeve”, nuk ndjehet mirë nga kriza e vetëdijes, e cila pa dëshirën e tyre ka mbingarkesë, që shkakton strese, defetizëm dhe defekte të tjera shëndetësore.

Kjo dukuri vlen edhe për shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën e taksirateve e cila që nga paraqitja e pandemisë, në këtë shtet nuk ka rehati së pari rreth zgjedhjes së Qeverisë së re dhe së dyti rreth betejës kundër Koronavirusit. Lufta mes krerëve institucional dhe liderëve partiakë është më e ashpër se lufta kundër virusit vdekjeprurës, të cilat së bashku paraqesin një defekt në jetën e shoqërisë shqiptare, së cilës nga shpina nuk iu hoqën kurrë gazepet.

Shoqëritë shqiptare në këto dy shtete dhe në ato të tjerat të shtrira në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, Serbi (Lugina e Preshevës) dhe diasporë, po kalojnë një fazë të jetës, nga më të rëndat, që nga periudha e komunizmit e këndej.

Nuk mund të gjesh të paktën një shtet, krahinë, apo rajon ku shqiptarët janë në rregull! Pse ndodh kështu dhe ku qëndron problemi?

Rehabilitimi

Pa u lodhur shumë në kërkim të një përgjigje të saktë, problemi qëndron në vetëdijen tonë e cila, pavarësisht dukurive negative të cekura më lart, është për një analizë dhe rehabilitim gradual, duke mos shkaktuar edhe vatra të tjera të krizës mendore, shpirtërore dhe fizike.

Kriza e vetëdijes të shoqërisë shqiptare i ka rrënjë e thella, duke filluar nga lufta për pushtet, famë e privilegje e deri te betejat e provincilaizmit të mentalitetit ballkanik: Bajraktarizmat, lokalizmat e …izma të tjerë të demoduar dhe banal.

Kjo krizë vetëdijesore nuk mund të gjej shpëtim për deri sa ne si shoqëri shqiptare nuk e gjejmë një model se si të lirohemi nga mentalitetet e mbrapshta, të cilat na shoqërojnë në çdo hap, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

Ndoshta kjo ka ndikuar se shqiptarët historikisht dhe politikisht kemi qenë një popull i ndarë e i përçarë në shumë principata, krahina, shtete e rajone, ku fuqitë e mëdha na kanë sunduar dhe vazhdojnë të ndikojnë në fatin tonë politik.

Sfidat

Kjo krizë e vetëdijes së shoqërisë shqiptare, mund të flaket, të mënjanohet, të evitohet, madje edhe të shërohet, sikur ne shqiptarët të fillojmë të kuptohemi së pari si shqiptarë në mes veti, pastaj të kërkojmë edhe ndihmën e miqve tanë të sinqertë, ajo të atyre që na kanë ndarë me shekuj.

Me një mobilizim të përbashkët në të gjitha drejtimet e aspektet, kriza jonë e vetëdijes së shoqërisë shqiptare do të lokalizohet, të shërohet dhe rehabilitohet gradualisht, duke pasur parasysh ngritjen e vetëdijes dhe dashurisë, mirësisë dhe vëllazërisë shqiptare, kudo qoftë ajo edhe përtej Atlantikut.  

(Autori është kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës)