Kosova

Kritikohet hapja e një kanali nga VV-ja, shoqëria civile e quan mjet propagandues

Televizioni Vetëvendosje është platforma më e re që ky subjekt politik e ka hapur për komunikim me publikun. Kjo u bë e ditur përmes transmetimit në faqen zyrtare të një interviste me ish-ministrin e Financave nga kjo parti, Besnik Beslimi.

Por ideja e hapjes së një televizioni, që është produkt i një partie, nuk po mirëpritet.

Nga Komisioni i Pavarur për Media, organ i cili merret me licencimin e transmetuesve dhe rregullimin e spektrit të frekuencave të transmetimit, thanë se për televizionin e Vetëvendosjes nuk ka pasur ende kërkesë për licencim, edhe pse në parim licenca nuk i jepet një partie, raporton KOHA.

Që licenca nuk i lëshohet një partie parashihet edhe në rregulloren e këtij komisioni.

Luan Latifi, shef ekzekutiv i KPM-së, thotë se nuk është praktikë e vendeve demokratike që një parti politike ta ketë televizion.

Sipas Latifit, edhe nëse do të kishte kërkesë për licencim, kjo do të ishte e pamundur të shqyrtohej shkaku i mosemërimit të tre anëtarëve.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se TVV nuk do të jetë televizion në kuptimin klasik me skemë programore e frekuencë, porse platformë për komunikim nga VV-ja. Sipas zëdhënësit Përparim Kryeziu, mediume të tilla kanë edhe partitë e majta në Gjermani e në Francë.

Kryeziu shtoi se TVV-ja do të veprojë si e integruar në Youtube, e prej nga do të transmetohen konferencat për shtyp e intervistat me protagonistë të Vetëvendosjes. Sipas tij, komunikimi me mediat e tjera dhe ofrimi i intervistave e materialeve tjera nuk do të ndalet, por do të jetë i njëjtë si më parë.

E për juristen e medias, Flutura Kusari, hapja e televizionit të VV-së është hapi i parë drejt shkatërrimit të demokracisë. Ajo thotë se rregulli i KPM-së që nuk u lejon partive të kenë televizion, duhet të vlejë edhe për platforma online.

Për këtë çështje gjatë ditës ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve. Nga kjo shoqatë thuhet se televizioni në pronësi të një partie politike nuk është gazetari, por propagandë në shërbim të politikanëve.