SPORT

Kristina Ukaj, portiere e re në kombëtaren e Kosovës në hendboll

Federata e Hendbollit të Kosovës njofton këtë të hëne pjesë e kombëtares së Kosovës është bërë portierja cilësore Kristina Ukaj, që bënë karrierë në kampionatin e Zvicrës.

“Klubi i saj, SPONO Eagles, zyrtarisht ka njoftuar FHK-në se Ukaj me shumë kënaqësi ka pranuar që të jetë në dispozicion të Kombëtares së Kosovës. Ukaj para se të marrë vendimin është konsultuar me klubin e saj, me drejtorin sportiv dhe me prindërit e saj. Ajo është e nderuar dhe e vetëdijshme për rëndësinë që ka paraqitja në Kombëtaren e Kosovës”, thuhet në njoftimin e FHK-së.

“Ukaj është nga Kosova, ndërsa është e rritur në Zvicër. Këtë edicion po paraqitet me shumë suksese për SPONO Eagles në kampionatin e Zvicrës. Në ndeshjen e fundit ndaj Rotweiss Thunit, portierja jonë e re shënoi dy gola, ndërsa ndali 11 nga 25 gjuajtjet në drejtim të portës së saj. Pra ndali 44% të gjuajtjeve. Ishte prej më meritoreve për fitoren e SPONO Eagles (24:23). Në ndeshjen e parafundit kampionale kishte pritur 59% të gjuajtjeve. Në shumicën e ndeshjeve kishte përqindje të lartë të goditjeve të pritura”, thuhet tutje në njoftim, transmeton Koha.net.

Kristina Ukaj i bënë 21 vjet në mars, ndërsa është e gjatë 176 centimetra. Ka përvojë edhe në Kupa Evropiane.

Kombëtarja pritet të luajë dy ndeshjet e ardhshme Bjellorusisë, më 25 mars në Prishtinë e më 29 mars në Minsk. Ndeshjet i takojnë fazës së dytë të eliminatoreve për “Euro 2020”.

FHK-ja premton se do të bëjë të pamundurën që Ukaj të jetë në dispozicion të selektorit Agron Shabani për këto dy ndeshje.

“Asaj i dëshirojmë mirëseardhje te Kosova, me shpresë të madhe se do të jap kontribut të çmueshëm për ngritje të mëtejme të nivelit të ekipit tonë kombëtar”, përfundon njoftimi i FHK-së.