KULTURË

Krishtlindja me Shën Nënën Tereze (në 110 vjetorin e lindjes së saj)

Shenjtëresha e jetës dhe dashurisë, Shën Nëna jonë Tereze, kishte një përshpirtëri të veçantë ndaj Krishtit të Vogël, lindjes së Tij në shpellën e Betlehemit.

Ajo gjithnjë i ftonte motrat e saja “Misionaret e Dashurisë”, nëpërmjet tyre edhe neve, mbarë botë, që ta pranojë këtë Dhuratë të Qiellit, Foshnjën hyjnor, në stilin e Virgjërës Mari, me fe të gjallë dhe dashuri vepruese.


Ja disa tekste, porosi dhe propozime të Nënës Tereze për ne sot:


“Lindja e Jezusit në Betlehem i solli botës dhe çdo zemre njerëzore gëzim. I njëjti Zot bëhet Njeri – Fëmijë, vjen në zemrat tona në kungim.
Ai dëshiron të na dhurojë vetveten, duke ardhur në zemrat tona. Me gëzim dhe paqe.
Të lutemi shumë, që ta marrim këtë hir për zemrat tona, për bashkësitë tona, për Kishën dhe për botën mbarë. Të lutemi, që të jemi të gatshëm ta pranojmë Jezusin për Kërshëndella – jo në shpellën e ftohtë të grazhdit të zemrës sonë, por në një zemër plot me dashuri dhe përvujtëri, një zemër të nxehtë të dashurisë së ndërsjellët, siç ishte ajo e Marisë.


Unë nuk mund të paramendoj asnjë ditë, orë, çast, pa Jezusin. Ai është jeta ime, dashuria ime, gjithçka për mua. Ai erdhi në botë për ta sjellë Lajmin e Mirë, që Zoti na do, që Zoti është Dashuri, që më do mua dhe ty, dhe që ne duhet ta duamë njëri-tjetrin ashtu si na do Ai ne.
Kur e shikojmë grazhdin e Betlehemit, kuptojmë si na do, duke vuajtur. Në kryq me gjak dhe dashuri, është vulosur dashuria e Tij për mbarë njerëzimin. Nuk mjafton ta duam Jezusin në Eukaristi, por duhet ta duam edhe në vëllain apo motrën njeri.
Kur meditojmë për kryqin e tij, kuptojmë si na ka dashur: vdiq në kryq, sepse na donte dhe dëshiron që edhe ne ta duam njëri-tjetrin. Ai na ka dashur dhe na do gjithnjë, e ne?


Në Betlehem të gjithë ishin plot me gëzim: barinjtë, engjëjt, mbretërit, Jozefi dhe Maria. Gëzimi ishte shenjë karakteristik i të krishterëve të parë. Gjatë përndjekjeve rrezatonte në fytyrat e tyre gëzimi.
Edhe ne duhet të jemi plot gëzim, dhe ta bartim gëzimin e dashurinë e Zotit te tjerëve.
Gjëra më e bukur e Marisë ishte, kur Jezusi hyri në jetën e saj, ajo me shpejti shkoi në shtëpinë e Elizabetës për t’ia dhënë Jezusin asaj dhe birit të saj ende të pa lindur, Gjonit. Maria ishte një misionare e vërtet, sepse nuk pati frikë të vihej jo vetëm në shërbim të Zotit, por edhe ndaj Elizabetës, duke krye punë të një shërbëtores… Këtë shërbim ajo e bën edhe sot, për mbarë botën dhe Kishën, për çdo njeri.”


Duke menduar për vrasjen e fëmijëve të pafajshëm, të pambrojtur, nga ana e prindërve, ajo me zemër zë plasur, duar të hapura kah Qielli, e tha dhe e dha këtë porosi dhe uratë:
“Varfëria më e madhe në botë është mungesa e dashurisë. Dështimi është nisja e të këqijave në botë. O Zot, na jep këtë hir që të ndërpritet vrasja e fëmijëve në kraharorin e nënave në botë. Virgjëra tejet e shenjt, ti që e ke pranuar me aq dashuri Jezusin Fëmijë, ndihmo dhe mbro të gjitha nënat e botës nga mëkati i dështimit.”


“Dikur Jezusi lindi në shpellën e Betlehemi. Sot lind në altar, në Meshë, Eukaristi, që ne të jemi Tabërnakulli i gjallë dhe veprues i pranisë dhe dashurisë së Tij në mesin tonë. I krishteri është Tabërnakulli i Zotit të gjallë… T’i ndihmojmë njerëzit që ta zbulojnë, njohin dhe duan Krishtin në ata që vuajnë… Kujdesi për të tjerët është fillimi i shenjtërisë…


Çfarë mrekullie: Zoti e ka vendosur mbarë botën në duar të Marisë. Prej Marisë duhet të mësojmë: për të dashur, si na do Jezusi ne. Për të qenë fryt gëzimi, ashtu si është Ai. Për të qenë më afër Asaj, si ishte Ai. Për t’i ndarë të gjitha me Te, edhe kryqin, si shenjë e përkatësisë me Krishtin”.
Si përfundim i këtij meditimi: Me Shën Nënën Tereze për Kërshëndella, ja disa porosi shumë aktuale të saja për botën e sotme:
“Gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim.
Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.
Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.
Dashuria e shëron vetminë
Uria më e madhe e jetës është dashuria.
Me Zotin – Dashuri edhe ne gjejmë vëllain apo motrën njeri.


Mishërimi i Jezu Krishtit është “hyjnizimi” i njeriut.
Kur nuk ke asgjë, atëherë dhuron gjithçka, vetveten.


Të gjithë njerëzit janë vëllezër – motra, sepse jemi të krijuar nga dora e dashur e Zotit.
Jeto me dashuri dhe për dashuri, dhuro dashuri, ji ti Dashuri.”

Krishtlindja nuk është vetëm një datë

Është Krishtlindje çdo herë
kur i buzëqesh vëllait
dhe e merr për dore.

Është Krishtlindje çdo herë
kur je në heshtje
për ta dëgjuar të afërmin.

Është Krishtlindje çdo herë
kur nuk i pranon ato parime
që i robërojnë të ndrydhurit
në skajet e shoqërisë.

Është Krishtlindje çdo herë
kur shpreson me ata që s’kanë shpresë
në varfërinë fizike dhe shpirtërore.

Është Krishtlindje çdo herë
kur pranon me përvujtëri
kufizimet dhe dobësitë tua.

Është Krishtlindje çdo herë
kur ia mundëson Zotërisë që të rilind te ti
për ta dhuruar të tjerëve.
Nëna Tereze

                                                         Përzgjodhi: Don Lush Gjergji