“Krimi i organizuar në Novi Sad udhëhiqet nga Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i Aleksandar Vuçiq-it me ndihmën e BIA-s”

Nënkryetari i Parisë Popullore, Borislav Novakoviq thotë se krimi i organizuar në Novi Sad drejtohet nga Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Andrej me ndihmën e Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA).

Novakoviq në një intervistë për Nova, thekson se kjo po bëhet me pëlqimin e Vuçiqit.

“Krimi i organizuar në Novi Sad udhëhiqet nga Zvonko Veselinoviq dhe Andrej Vuçiq. A mendoni se po e bëjnë këtë pa dijeninë dhe pëlqimin e Aleksandar Vuçiqit? Në të gjitha këto, ka një komplot heshtjeje dhe shthurjeje politike midis krerëve të politikës lokale të Novi Sadit, prokurorisë, BIA-s dhe sigurisë publike”, thekson Novakoviq.

Sipas politikanit serb, zyrtarët e sigurisë po pengojnë profesinistët të kryerjen e punëve.

“Krerët e atyre organeve dhe shërbimeve po pengojnë profesionistët të bëjnë punën e tyre. Novi Sadi është i vetmi qytet në vend ku dy shefat e fundit të policisë, Milorad Shushnjiq dhe Slobodan Maleshiq, përfunduan në paraburgim dhe kreu i BIA-s, Nikola Vasiljeviq së bashku me kriminelin Slobodan Milutinoviq – Snajper pa pikë turpi mori drejtimin e klubit të futbollit”, shton ai.

Ai pohon se qytetarët e Novi Sadit nuk do ta falin Vuçiqin.

“Novi Sadi nuk do ta falë kurrë Aleksandar Vuçiqin. Qyteti po vlon nga pakënaqësia, sepse dinjiteti dhe krenaria e tij janë lënduar nga marrëdhëniet e tilla. Prandaj, jam i sigurt se zgjedhjet e ardhshme lokale do të sjellin një ndryshim”, përfundon politikani serb.

Kujtojmë se në fund të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Veselinoviq thekson se janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radoiçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.

Ky grup, sipas Departamentit të Thesarit i ka të regjistruara 11 biznese në Kosovë, 10 në Serbi, nga një në Kroaci dhe Bullgari. Po ashtu, këta janë të sanksionuar edhe nga Britania e Madhe.

Thesari thotë se ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis dy vendeve.

Go to TOP