Kombëtare

Krimet e rënda “pushtojnë” Shqipërinë

Mes qyteteve të zhytura në krim, bie në sy Elbasani. Krime të rënda që kanë lidhje mes tyre kanë rikthyer jo vetëm pasigurinë, por edhe një gjallërim të bandave, duke e kthyer këtë qytet të Shqipërisë së Mesme në një sfidë të fortë për shtetin, politikën lokale dhe autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e rendit.

Në hartë pas Elbasanit janë Durrësi, Shkodra, Tirana e Vlora.

Një trend i rrezikshëm që po vërehet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen tani edhe nga grupe të rinjsh në zonat rurale. Veçanërisht në Elbasan, duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet zhvendosja e organizatave kriminale me struktura hierarkike në zonat rurale.

Policia, e angazhuar në shkallë të gjerë për gjobitje trafiku, duket e pafuqishme përballë krimit. Goditjet e bandave kanë ardhur kryesisht me partneritet të huaj.

Operacione si ai “Los Blancos” tregojnë se më shumë se për meritë të policisë shqiptare, ndalimi i zinxhirit ktiminal lidhet me partneritetin me Eurojust, i krijuar me një vendim të Këshillit Europian në vitin 2002.

Eurojust është institucioni të cilit i është besuar forcimi i luftës kundër krimeve të rënda përmes bashkëpunimit më të ngushtë brenda Bashkimit Europian në fushën e zbatimit të ligjit.

Institucioni bashkërendon aktivitetin e prokurorive kombëtare të shteteve anëtare dhe përbëhet nga 27 përfaqësues kombëtarë: gjyqtarë, prokurorë, dhe oficerë policie, të dërguar nga shtetet anëtare. Ai i përmbush detyrat e tij me ndihmën e një ose disa prej anëtarëve kombëtarë, ose duke vepruar në mënyrë kolegjiale.

Eurojust ka kompetencë që të hetojë dhe të procedojë në krimet e rënda, veçanërisht krimin e organizuar ose krimin ndërkufitar, në hapësirën territoriale të të gjitha vendeve që janë anëtare të këtij institucioni, mes të cilave nga viti 2018 është edhe Shqipëria.

Eurojust ka njëfarë mbivendosje me Interpolin në kompetencat që lidhen me krimet nëpërmjet kompjuterëve, mashtrimin dhe korrupsionin, pastrimin e produkteve të krimit, krimin ndaj mjedisit, si dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale.

Sidoqoftë 40 vrasje përgjatë 9 muajve të parë të vitit 2020, megjithëse ka qenë viti kur për rreth 2 muaj popullata u izolua, janë shumë për një vend me popullatë të vogël si Shqipëria.

Veç grupeve kriminale që po lindin dhe konsolidohen në zonat rurale të lëna në harresë ka dhe një fenomen tjetër që duhet analizuar dhe për të cilin shteti duhet të angazhohet për ta luftuar.

Ajo që ka shqetësuar ekspertët e kriminalistikës është shtimi i vrasjeve me pagesë. Dhe është një zonë e Shqipërisë nga ku kanë rezultuar shumica e vrasësve me pagesë që janë kapur deri tani mes Krujës dhe Kurbinit.

Nuk është e vështirë të kuptohet që zona është kthyer në një “shkollë krimi” ku duhet ndërhyrë pa i lënë të kalojnë në faza më të rënda kriminale/Dita.