Kreu i KOK-ut dhe ambasadori Guerot vizitojnë ekipin olimpik të xhudos

Presidenti i Komitetit Olimpik i Kosovës, Ismet Krasniqi dhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, kanë vizituar ekipin olimpik të xhudos, të cilët janë në vlugun e përgatitjeve për garat e fundit ndërkombëtare para pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike Paris 2024.

“Presidenti Krasniqi, i shoqëruar edhe nga zyrtarja për marrëdhënie ndërkombëtare, Rejhan Halili, ka përgëzuar ekipin e xhudos në krye me kryemjeshtrin Driton Kuka për punën dhe përkushtimin, derisa iu ka ofruar mbështetjen e plotë të KOK-ut përmes bursave olimpike, përgatitjeve dhe formave tjera të mbështetjes. Edhe ambasadori Guerot u ka uruar fat dhe suksese në rrugëtimin drejt Paris 2024, duke thënë se kryeqyteti francez do të ju ofrojë mikpritje të ngrohtë ekipit tonë”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Trajneri Kuka sipas këtij njoftimi, ka falënderuar presidentin Krasniqi dhe ambasadorin Guerot, duke vlerësuar lart mbështetjen që po jep KOK-u për sportistët.

Ekipi olimpik i xhudos pritet të udhëtojë drejt Paris 2024 me pesë norma olimpike, aq sa kishte edhe në Tokio 2020. 

Go to TOP