Kombëtare

“Krejt Vetëvendosja m’kqyrke” – Shpend Ahmeti tregon çfarë ndodhi kur ia zgjati dorën Thaçit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në rrëfimin për Pressing ka folur për momentin kur ia kishte zgjatur dorën ish-presidentit Hashim Thaçi sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se menjëherë pas këtij veprimi kishte pasur një status kritikues i Albulena Haxhiut, tani ministre e Drejtësisë.

“Vjen Edi Rama me Hashim Thaçin në lojën e basketbollit të Prishtinës. Vijnë, unë çohem e përshëndeti Edi Ramën, unë ia jap dorën, ma jep dorën Hashim Thaçi, unë ia jepi dorën, mandej Albulena Haxhiu shkruan status”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka treguar edhe për reagimin në VV, pas këtij veprimi, duke thënë se ai nuk mundet t’i bëj disa gjëra, që sipas tij, mund t’i bëj Albin Kurti.

“Kur kthena në Lëvizje, t’u m’kqyrë krejt kështu qysh ia dhe dorën? Ia jap dorën se s’di ndryshe. Nuk muj me bo atë punë. Albini mundet. Ka mujtë edhe me kqyrë shtremtë, edhe mos me folë, edhe me ta kthy shpinën. Nuk muj, s’jam qasi njeri”, ka theksuar Ahmeti.

“Kjo s’do të thotë që pajtohem me Hashim Thaçin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se edhe Kurtit i kishte dërguar një mesazh, kur ai ishte shtrirë në spital, por nuk kishte marrë përgjigje.

“Kur ka qenë Albini në spital, unë i kam çu mesazh. S’ma ka kthy. Mua s’mundet me ma humbë njerzillëkun”, ka thënë Ahmeti.