EKONOMI

Krasniqi: Zvogëlimi i pagave në PTK, nuk është shpëtim

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi është shprehur kundër uljes së pagave për punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), duke thënë se një gjë e tillë nuk paraqet shpëtim për këtë ndërmarrje.

Krasniqi ka vlerësuar se së pari duhet të bëhet një analizë profesionale e arsyeve që e sollën PTK-në në këtë gjendje.

“Shkurt do të duhej të bëheshin shumë veprime të tjera hulumtuese, të evidentoheshin të gjitha shkaqet që e sollën ketë gjendje në PTK dhe masa e fundit që do të duhej të merrej, do të ishte zvogëlimi i pagave të punëtorëve. Ndonëse, do të duhej edhe mënyra e punësimit të shikohej sesi është bërë deri më tani dhe si po bëhet edhe tani?”, ka shkruar Krasniqi  në një publikim të bërë në rrjetin social Facebook.

Gjeni pa ndërhyrje reagimin e Krasniqit:

Zvogëlimi i pagave te punëtorëve të PTK-së, nuk është shpëtimi i saj!

Për të shpëtuar PTK-në, duhet shpallur se ajo NP është në krizë të përgjithshme financiare, menaxhuese efikase, profesionale, etj. Tek pastaj duhet të planifikohen masat adekuate që duhet të merren për sanimin e gjendjes. Mbase, masa e fundit që do të duhej të merrej ka qenë dhe do të ishte zvogëlimi i pagave të punëtorëve.

Hapi i parë që do të duhej të merrej na atë NP profitabile (ishte), do të duhej bërë një analize profesionale të të gjitha rrethanave (arsyeve) që e sollën në ketë gjendje PTK-në, se paku për dhjetë vitet e fundit. Kur dihet botërisht se kopili i saj, i krijuar nga brenda Z-mobili dhe ortakja e saj Ipko, janë duke operuar me sukses dhe janë shumë profitabile?! Pse PTK-ja me gjithë atë infrastrukturë që e ka të sillej në ketë gjendje? Pra, kërkohet një incizim i përgjithshëm i gjendjes dhe deri më tani askush nuk është i interesuar për një gjë të tillë?

Po të bëhej një analizë profesionale, do të duhej dhe ku qëndron “suksesi” i Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit në raport me AXOS-in. Pa dyshim që suksesi është i Arbitrazhit i cili ka vërejtur të metat e shumta që ka pasur ajo përpjekje e pa ligjshme për privatizim. Në kushte normale, shteti do të duhej të hulumtonte atë përpjekje për privatizim. Për ketë rast, më se paku do të duhej të lavdëroheshin ata që dashen që ta shesin PTK-në, për çka nuk besoj që blerësi i vërtetë ishte AXOS-i

Shkurt do të duhej të bëheshin shumë veprime të tjera hulumtuese, të evidentoheshin të gjitha shkaqet që e sollën ketë gjendje në PTK dhe masa e fundit që do të duhej të merrej, do të ishte zvogëlimi i pagave të punëtorëve. Ndonëse, do të duhej edhe mënyra e punësimit të shikohej sesi është bërë deri më tani dhe si po bëhet edhe tani?

Një gjë do të duhej të dihej nga ata që duan të marrin përgjegjësi për të qeverisur a menaxhuar me pasurinë publike. Kërkohet që të dinë shumë, që të duan t’i kryejnë mirë e me dashuri punët, e tek pastaj vijnë: përgjegjësia, përkushtimi, profesionalizmi dhe efikasiteti në qeverisje a menaxhim.