Kosova

Krasniqi: VV-ja e LDK-ja ta shikojnë interesin e shtetit jo atë partiak, nuk e kemi luksin për zgjedhje

Jeta Krasniqi nga KDI ka thënë se nga sot janë edhe 15 ditë që të lidhet koalicioni qeverisës ose të formohet një qeveri e pakicës.

Krasniqi thotë se pas datës 26 kur u zgjodh Konjufca, LDK e tërhoqi fjalën e saj për votimin e një qeverie të pakicës nga Vetëvendosje.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë mundësia e funksionimit të një qeverie të pakicës do të ishte shumë e vështirë.

“Patjetër që Kurti mund të shkojë në seancë për krijimin e qeverisë edhe pa marrëveshje me LDK-në. Nëse do të kishim një qeveri të pakicës, funksionimi i saj do të ishte shumë i vështirë. Shumë nisma legjislative nuk do të shtyheshin përpara, ashtu siç ndodhi edhe me legjislaturën e kaluar. Mund të kishim një përsëritje të situatës së kaluar”, ka thënë ajo.

Krasniqi thotë se që nga data 26 dhjetor palët kanë qenë të zëshme duke e akuzuar njëra-tjetrën.

Sipas saj, besimi i palëve është dëmtuar.

“Ajo që është e qartë është se qytetarët e kanë shprehur vullnetin e tyre. Të dyja partitë kanë deklaruar në vazhdimësi se të njëjtat do të formojnë koalicion por se të dyja nuk po arrijnë të dakordohen”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se të dyja partitë duhet të shikojnë interesin e përgjithshëm dhe jo atë partiak.

“Patjetër që i takon VV-së e LDK-së që të paraqesin opsionet më të mira për të arritur një marrëveshje, jo duke parë interesin partiak por atë të Kosovës. Kosova nuk e ka luksin që të shkojë në zgjedhje, kemi një situatë të paprecedent, kemi një Kuvend që ka dalë nga zgjedhjet e fundit dhe një qeveri të kaluar. Nëse i shohim afatet kohore e shohim se nuk janë aq të gjata. Janë 100 ditë por kjo është që nga mbajtja e zgjedhjeve”, ka thënë ajo.

Krasniqi ka thënë se buxheti është ndër ligjet kryesore që duhet të votohet deri në fund të shkurtit, duke shtuar se nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, do të ketë ndalim të funksionimit të shumë institucioneve.

Sipas saj ekziston mundësia që qeveria aktuale ta dërgojë ligjin për buxhet të votohet në Kuvend.

“Ne kemi pasur edhe në të kaluarën koalicione që kanë parë thyerje të mëdha, por kanë arritur të funksionojnë. Por është e rëndësishme që të ndërtohet besimi mes partive politike dhe të arrijnë që parimet e tyre t’i shtyjnë përpara. Të mos kthehet qeverisja në luftë apo konkurrencë mes dy partive”, ka thënë ajo.

Sipas saj, zgjedhjet nuk duhet të jenë opsion i cili duhet parë në këtë kohë.