Krasniqi: Turistët po anulojnë vizitat në Kosovë, kanë frikë se është situata si në Ukrainë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ngriti këtë të diel disa pikëpyetje sa i takon situatës së krijuar në veriun e Kosovës.

Krasniqi tha në Euronews Albania, se e gjithë situate e krijuar në veri të Kosovës, nuk sjell asgjë të mirë për vendin.

Sipas tij, Kosova shfaqet për herë të parë si një vatër krize në të gjitha mediat dhe kanë filluar të bëhen publike anulimet e para nga turistët që planifikonin ta vizitonin atë.

“Unë do dëshiroja të kishte diçka pozitive, por nuk mund të shikoj asgjë pozitive pasi për herë të parë pas shumë vitesh, e kemi Kosovën si vatër krize në të gjitha mediat ndërkombëtare.

Tashmë kanë filluar të bëhen publike anulimet e vizitave të turistëve nga shtetet europiane gjithandej, duke u frikësuar mos vinë në një mini-Ukrainë.

Kemi një rebelim të organizuar nga grupet kriminale nga këto komuna dhe kemi për herë të parë një nivel kaq të rëndë të denoncimit dhe dënimit ndaj Kosovës nga partnerët kryesor”, tha Memli Krasniqi.

Krasniqi tutje tha se patjetër që kryetarët e komunave duhet të qëndrojnë në objektet ku janë zgjedhur për të shërbyer, por duhen parë edhe kostot e kësaj.

Sipas tij e gjithë situata është duke e dëmtuar shtetin e Kosovës, pasi ka marrë paralajmërime nga ShBA dhe Bashkimi Europian.

“A duhet që kryetarët të jenë në ato zyra? Absolutisht. A mundemi t’i dërgojmë kryetarët e komunave në ato zyra? Kjo po shikohet, me polici mundemi. Por nëse kostoja e këtij veprimi është shkatërrimi i raporteve të Kosovës, në radhë të parë me ShBA-në, ne duhet të bëjmë një pyetje racionale; a ja vlen barra qiranë? Aty nuk ka as punëtorë, as administratë.

Kemi pasur një kryetar në Leposaviq që mbeti i ngujuar 4-5 ditë në zyrë, i vetmuar, për asgjë. Cili është shërbimi ndaj qytetarëve? Kjo lëvizje po e dëmton Kosovën”, tha Memli Krasniqi.

Go to TOP