EKONOMI

Krasniqi: Shteti ka dështuar në përkrahje të biznesit

Skënder Krasniqi, kryetar i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës – OAK, ka thënë se shteti ka dështuar të përkrahë bizneset dhe qytetarët.

Oda e Afarizmit ka kërkuar nga BQK-ja dhe bankat që ta shtyjnë edhe për tre muaj afatin e shlyerjes së borxheve dhe të kredive.

“Si Odë e Afarizmit e konsiderojmë vendim të ngutshëm. Është një vendim që nuk do të duhej të merrej pa konsultim me ne. Në kontinuitet kemi kërkuar shtyrjen edhe të kredive edhe të tatimeve ndaj shtetit edhe për tre muaj duke marrë parasysh se bizneset ende nuk kanë filluar të rikuperojnë. Kjo ka qenë një kohë e rëndë për bizneset pasi shteti nuk i ka dalë në ndihmë atyre ashtu siç kemi shpresuar”, ka thënë Krasniqi në “Express Intervistë” në KTV.

Ai thotë se nevoja për shtyrje është urgjente.

“Ne ende nuk e kemi ekzekutuar pakon e parë, punëtorët tanë ende nuk i kanë marrë 170 pagët e parë për mars, derisa do të duhej të merrnin edhe për prillin. Nevoja për shtyrje është urgjente pasi do të hasim me probleme të mëdha që do të pasojë me largimin e punëtoreve dhe falimentim të bizneseve”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se shteti do të duhej të rriste fondin e sigurisë, në mënyrë që bankat të mund të lëshojnë kredi.

“Praktikisht BQK-ja është rregullator për bankat komerciale dhe do të duhej që të kemi një reagim më të mirë të BQK-së, por do të duhej edhe Qeveria e Kuvendi të ndajnë fonde, si ai për sigurimit të kredive, të jetë më i madh se që është momentalisht. Kemi kërkuar që ai të jetë 300 milionë euro. Bankat kanë mundësi të japin kredi deri në 1 miliard nëse fondi i sigurisë do të ishte më i madh. BQK-ja e Qeveria do të duhej të reagonin më mirë dhe më shpejt, pasiv është reagim i ngathët”, ka thënë ai. “Asnjë ofertë shteti nuk ia ka bërë biznesit, që nuk ka ndodhur askund. Reagimi në fillim ka qenë i mirë, por është dashur që të përcillet. Më vonë reagimi ka qenë zero, dhe vendimi i tashëm është jo i mirë. Kemi kërkuar të bëhen shtyrjet sipas kërkesës”.

Sipas tij shteti nuk i ka qëndruar prapa as qytetarit, e as biznesit.

“Me asgjë nuk ka komunikuar në këtë aspekt. Shtetet e tjera i kanë ofruar kredi pa kamata, interesin e ka mbuluar shteti. Shteti nuk ka bërë mbulimin e humbjeve. Praktikisht shteti ka dështuar në përkrahje të biznesit dhe është duke dështuar”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se ekziston një diskriminim i madh të sektorit privat, krahasuar me atë publik.

“Shumica e bizneseve nuk kanë qëndrueshmëri të gjatë nëse nuk kanë qarkullim. Shtetet e tjera u ka dalë në ndihmë biznesit edhe me shumë për likuiditet edhe me mbulim të shpenzimeve për punëtorë, këtë nuk e ka bërë shteti te ne. Shteti po vazhdon t’iu japë paga të plota punëtorëve në sektorin publik përkundër që 80 për qind e tyre nuk punojnë. Shteti po rrezikon likuiditetin e vet. Është diskriminim jashtëzakonisht i madh ndërmjet sektorit publik dhe privat”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij gjatë këtyre tre muajve bizneset janë munduar të ruajnë numrin e punëtorëve, por pamundësia për t’i paguar kanë filluar të zvogëlojnë numrin e punëtorëve.

“Kemi kërkuar që pagat për sektorin privat të vazhdojnë deri në fund të korrikut, që të paktën biznesi të mos e ketë ngarkesë. Në sektorin privat e publik kemi rreth 400 mijë të punësuar, prej tyre 100 mijë janë në publik, kurse po flasim për 300 mijë të tjerë dhe këtyre nuk iu ka siguruar asgjë shteti”, ka thënë ai.

Krasniqi tutje ka folur edhe për ikjen e të rinjve, derisa thotë se duhet të ndërmerren menjëherë masa në mënyrë që t’u krijohen kushte për jetesë të rinjve.

“Dështimet e Qeverisë për të punësuar rininë, dhe këtë e ka bërë edhe mos komunikimit të shtetit me bizneset. Kemi kërkuar vazhdimisht që përfundimisht Qeveria e Kuvendi ta kthejnë mendjen nga zhvillimi i vendit në mënyrë që të ndalin eksodin masiv, që e kemi më të madhin në rajon, edhe pse nuk kemi liberalizim të vizave”, ka thënë Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.