Kosova

Krasniqi me një sërë kritikash ndaj Thaçit dhe konferencave të tij të shpeshta

Ish-kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka drejtuar një sërë kritikash kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçit.

I ka kritikuar edhe konferencat e tij të shpeshta, madje ka thënë se ato po i bën vetëm sa për t’ju gjetur punë opinionistëve.

Madje gjysmën e këtyre kritikave, Jakupi ia ka drejtuar në lloje metaforash. Por, thotë Jakupi, “mbase duhet të shpresojmë në ditë të mira! Shpresa, thonë se vdes e fundit”.

Shkrimi i Jakup Krasniqit:

KONFERENCAT E KRYETARIT SI ESHTRAT E ZHVESHUR TË KASAPIT!

Populli ynë thotë: “Kush ka nge, shtinë rruza në pe”! Apo “kur s’ke çka bënë, luaje derën”! Kështu disi janë edhe konferencat e shpeshta të Kryetarit të Kosovës, po ka nge dhe po mban konferenca për t’ju gjetur punë opinionistëve të medieve tona. Prandaj, konferencat e tilla përngjajnë shumë me eshtrat që kasapët i hedhin për tregun e hallexhinjve!

E hallexhinjve ju duhet mbijetesa edhe me eshtrat e zhveshur nga muskujt e mishi. Po, edhe miza e ka një mbijetesë nën shalët e kalit! Por, çfarë mbijetese është se, kur shpesh i duhet t’i provoj në kurrizin e saj të brishtë kamxhikët e bishtit të kalit!

Po, mizat e meritojnë atë mbijetesë, se harresën e kanë të madhe. Ato brenda pak sekondave, për shkak të harresës e godasin dhjetëra herë qelqin e të njëjtës dritare?!

Edhe ne, njerëzit shpesh po harrojmë se tryezat e kryetarit kanë gjellë të ligë që as qentë se hanë. Ndonëse, dikush po hanë me endje!

Dhe “kush harron, i përsëritet historia” thoshin latinet e vjetër!

Edhe ne shqiptarëve, shpesh na është përsëritur historia, si e vjetra njashtu edhe më e reja.

Ndoshta, një ditë do ta nxjerrim mësimin e duhur! Edhe pse ajo ditë, kështu, si po duket e ka të vështirë të lajmërohet në horizont.

Mbase duhet të shpresojmë në ditë të mira! Shpresa, thonë se vdes e fundit.

Dje kishim: Shpresë + besim + guxim = Fitorja!

E ardhmja nuk vije vet. As mashtrimet nuk e sjellin ardhmëri!

Të shpresojmë, ardhjen e mbinjeriut migjenian!

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.