Kosova

Krasniqi, Kurtit: S’ka paturpësi më të madhe sesa ta vësh në pikëpyetje raportin Kosovë-NATO

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, vlerëson se kryeministri Albin Kurti me paraqitjen e tij në konferencë për letërkëmbimet ndërmjet Qeverisë së Kosovës me NATO-n, u mundua që të manipulojë opinionin publik.

Nëpërmjet një reagimi në faqen e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se “Albin Kurti sot dëshmoi përsëri që, përveç se është mashtrues ordiner, është edhe i rrezikshëm për të tashmen dhe për të ardhmen e shtetit të Kosovës”.

“E vërteta është se Albin Kurti sot bëri edhe një show publik, për të zhvendosur vëmendjen prej përgjegjësisë shtetërore që atij i takon për të marrë vendime të rëndësishme e besa edhe të rënda për të ardhmen e Kosovës, e që priten prej tij gjatë këtyre ditëve. Këtu, realisht, temë nuk është raporti i shenjtë Kosovë – NATO, por heqja e taksës dhe vazhdimi i Dialogut Kosovë – Serbi. Albin Kurtit po i harxhohen minutat e mbetur për të përmbushur zotimet që i ka dhënë para partnerëve ndërkombëtar, duke e rrezikuar kështu, mbi të gjitha, marrëdhënien e Kosovës me SHBA-të. Se çfarë do të bëjë e kë do të mashtrojë, do ta shohim këto ditë. Por, përrallat e tij se s’do të heqë taksën e s’do të shkoj në Dialog, pa i përmbushur Serbia kushtet e tij, tashmë kanë vdekur, por s’janë harruar”, ka shkruar Krasniqi.

Deputeti i PDK-së tha po ashtu se Kurti sot, “duke u munduar që prapë të manipulojë opinionin publik, publikoi komunikimet zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës me NATO-n, me pretendimin se kjo paraqet shkelje të Kushtetutës dhe të interesave shtetërore të Kosovës”.

Sipas tij, ta vësh në pikëpyetje raportin e Kosovës me NATO-n, kur që nga çlirimi e deri sot, NATO e udhëhequr nga ShBA-ja, ka qenë partneri më i rëndësishëm i Kosovës për sigurinë e shtetit tonë, është “paturpësi e madhe”.

Krasniqi thotë më tej se çfarëdo dakordimi me NATO-n, që konsiderohet agresor e pushtues nga Serbia, nuk mund të jetë cenim i kushtetutshmërisë së Kosovës. Aq më shumë, siç shprehet ai, kur vet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vet Deklarata e Pavarësisë i japin NATO-s autorizime të cilat janë ditur e dihen botërisht, për sa i përket sferës së sigurisë në Republikën e Kosovës.

Tutje, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës thotë se kryeministri Kurti e di fare mirë se dokumentet e publikuara prej tij as nuk janë sekrete e as nuk përbëjnë kurrfarë risie.

“Debati për prezencën ose jo të FSK-së në veri, pa autorizimin e NATO-s, ka qenë publik edhe kur është miratuar legjislacioni për Ushtrinë e Kosovës në fund të vitit 2018. Përndryshe, nëse dokumentet paraqesin rrezik dhe janë kundër interesit të Kosovës, siç po ua atribuon Albin Kurti, le t’i shfuqizojë ato që sot, sepse e ka këtë mundësi”, potencoi Krasniqi.

Ai thotë se Kurti duhet ta kuptojë se më nuk është analist e vrojtues i politikës, por Kryeministër me përgjegjësi shtetërore.

“Frazeologjia e bukur s’i kryen më punë. Edhe mashtrimet e ulëta, si ky sot, nuk i zgjasin më shumë. Qytetarët presin veprime e jo thashetheme prej tij. Por, a ka guxim apo është frikacak, këtë do ta shohin së shpejti të gjithë. E shumë prej atyre që e njohin, e dinë moti këtë!”, theksoi në fund të këtij reagimi, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

//azoaltou.com/afu.php?zoneid=3473483