Kosova

KQZ-ja të enjten shpall rezultatin – çfarë pastaj?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tha se do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve më 4 mars (të enjten), por ky nuk është epilogu i procesit zgjedhor. Pas shpalljes zyrtare, partitë apo kandidatët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), brenda 24 orëve. Pos, PZAP-së, të drejtë ankimore mund të bëhet edhe në Gjykatën Supreme.

Ankesat eventuale mund të shtyjnë edhe më tej certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, proces ky që i hap rrugën afatit të ri ligjor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kur pritet të konstituohet kuvendi?

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja, kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. Ky proces është formal dhe nuk pritet që të ketë vonesa dhe përbërja e re parlamentare mund të konstituohet brenda muajit mars.

Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe bazuar në projeksionet aktuale, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë më shumë se 57 deputetë, duke shënuar rekord të numrit të deputetëve në historinë parlamentare të Kosovës.

Këtë herë, konstituimi i kuvendit do të shoqërohet edhe më një situatë të paprecedent në historinë kushtetuese të Kosovës. Udhëheqësi i ri i kuvendit, do të mund të marrë në mënyrë automatike edhe rolin e ushtruesit të detyrës së presidentit, post që ka mbetur vakant që nga dorëheqja e ish-presidentit Hashim Thaҫi në nëntor të vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Deri më tani, këtë pozitë e ka ushtruar Vjosa Osmani, kryetarja e kuvendit, e cila sërish është kandidate e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, për të marrë mandatin e plotë presidencial pesëvjeçar.

Qeveria e re: Kush me kë?

Pas konstituimit të kuvendit, është në diskrecion të presidentit që të dekretojë kandidatin për kryeministër. Pas dekretimit, qeveria a e re duhet të votohet brenda 15 ditësh.

Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, LVV-ja, sipas projeksioneve aktuale, vështirë se do të mundet që e vetme të formojë qeverinë e re të vendit, pasi për të nevojiten 61 vota. Por, disa nga partitë e komuniteteve joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe, kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar.

Por, lideri i LVV-së Allbin Kurti është i vendosur që të mos e ftojë asnjë parti shqiptare për të formuar institucionet e reja të vendit.

Gjatë një prononcimi për media të mërkurën nga Tirana, Kurti tha se beson se partia e tij do ta kalojë shifrën prej 61 deputetëve, sa janë të nevojshme për ta formuar qeverinë.

“Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve. Me siguri do ta kemi deputetin e komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqin, me siguri do ta kemi deputeten e komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi, do t’i kemi edhe disa të tjerë. Na nevojiten 61, do ta kalojmë numrin 61. Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e donë të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, tha Kurti.

Sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave. Por, përqindja mund të ndryshojë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë, që në masë të madhe kanë qenë në favor të LVV-së.

Sfida e parë e qeverisë

LVV-ja mund të mos e ketë problem formimin e qeverisë së re, por sfidë e parë do të jetë zgjedhja e presidentit të ri të Republikës. Ushtrimi i detyrës së presidentit është i kufizuar në gjashtë muaj, gjë që nënkupton se presidenti i ri duhet të zgjidhet para muajit maj.

Por, për zgjedhjen e presidentit, nevojitet prania në sallë e të paktën 80 deputetëve. Kjo do të thotë se për këtë proces, nevojitet prania në sallë edhe e deputetëve të opozitës ose një marrëveshje me ndonjërën prej tyre. Albin Kurti ka thënë se kandidate e vetme për presidente është Vjosa Osmani.

Por, në rast se në raundin e tretë të votimit, kandidati/ja për president nuk merr votat e mjaftueshme, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.