Kosova

KQZ-ja i kërkon MAPL-së publikimin e akteve të dorëheqjes së veriorëve brenda 24 orëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i ka dërguar shkresë ministres së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, nëpërmjet së cilës i kërkon që brenda 24 orëve t’i vë në dispozicion aktet dhe shkresat e tjera të dorëheqjeve të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Deri tani Qeveria ka refuzuar t’i bëjë publike dorëheqjet e veriorëve, derisa kryeministri Haradinaj pati thënë se e kanë vështirë të marrin vendim mbi bazën e shkresave, të cilat Republikës së Kosovës i referohen me denominimin “Kosovë dhe Metohi”.

Shkresa i ka shkuar Hoxhiqit pas mbledhjes së sotme të KQZ-s, në të cilën u shqyrtuan kërkesat e partive për certifikim në zgjedhjet e 19 majit.

“Kërkesa e tillë ka të bëjë me aktivitetet dhe përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve- KQZ, mbi mbarëvajtjen sa me të mire të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për kryetar te komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut te cilat do te mbahen me dt 19/05/2019. Për shkak të aktiviteteve të ngjeshura dhe afateve të kufizuara si Zgjedhje të Jashtëzakonshme, kërkojmë nga Ju dhe Institucioni që Ju drejtoni që në afatin prej 24 orëve nga pranimi i kësaj kërkese, të na e siguroni materialin e lartcekur”, thuhet në shkresën që Zyra për Regjistrimin e Partive në KQZ ia ka përcjellë Hoxhiqit, raporton “Koha Ditore”.

Anëtarët e KQZ-së kanë kërkuar trajtim të detajuar të aplikacioneve, para se të bëhet certifikimi i kandidatëve serbë.

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se KQZ-ja duhet ta trajtojë komplet aplikacionin e Listës Serbe dhe kandidatëve të saj.

“T’i shohim shkresat e dorëheqjes së tyre, format e tyre, në të cilat është raportuar se shtetit të Kosovës i janë referuar me ‘Kosova dhe Metohi’. Çdo qytetar i Republikës e ka të drejtën e votës dhe të kandidimit, por edhe qytetarët e kanë të drejtën e ofrimit të qeverisjes dhe shërbimeve publike, e të cilat u janë mohuar nga dorëheqjet e para pesë muajve”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka shtuar se nuk është kundër serbëve të Kosovës, “por jam kundër atyre që po përdoren nga Aleksandër Vuçiqi kundër Republikës së Kosovës”. Sipas tij, KQZ-ja e ka një rast të mirë në këto zgjedhje për të disiplinuar Listën Serbe dhe kandidatët e saj në kuptim të njohjes dhe respektimit të Republikës së Kosovës.

“Ne nuk duhet të lejojmë përdorimin e këtij procesi kundër integritetit të Republikës, sikurse nuk mund të shpenzojmë miliona euro në procese të cilat janë shkaktuar nën ndikimin e Vuçiqit dhe paralajmërimeve për dorëheqje të sërishme”, ka thënë ai.

Shqetësime ka shprehur edhe anëtari nga radhët e LDK-s, Florian Dushi. Ai ka kërkuar nga zyra për regjistrimin e partive politike që t’i verifikojë të gjitha kushtet dhe kriteret për certifikimin e kandidatëve.

“Flas për pjesën ligjore dhe kushtetuese të këtyre kritereve, të shohim nëse i përmbushin të gjitha ato kritere për t’i dhënë mundësi pastaj KQZ-s që të diskutojë nëse paraqet eventualisht pengesë, fakti i dorëheqjes dhe kandidimi i po të njëjtëve në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Dushi.

Lista Serbe vendosi të marrë pjesë në zgjedhje pas konsultave me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Por ata kanë paralajmëruar të japin dorëheqje, sapo t’i marrin mandatet.

Kandidat për kryetar të Leposaviqit nga Lista Serbe është Zoran Tadiq, për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, për kryetar të Zveçanit, Vuçina Jankoviq dhe për kryetar të Zubin Potokut, Sërgjan Vuloviq.