SHKENCË

Kozmonautët nuk janë gati për vaksinën e Rusisë për koronavirus

Kozmonautët rusë, të cilët pritet të nisen drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor muajin e ardhshëm, kanë thënë të enjten se ende është shumë herët për të marrë vaksinën e lavdëruar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

“Personalisht, dua të them se nuk do të vaksinohesha sepse e trajtoj me shumë kujdes këtë çështje”, ka thënë Sergei Ryzhikov, 46-vjeçar, lider i ekspeditës së radhës në Stacionin Hapësinor gjatë muajit tetor.

Ai dhe kozmonautë tjerë kanë vendosur maska në qendrën e trajnimit jashtë Moskës, teksa kanë mbajtur online një konferencë për media.

Komentet e kozmonautit kanë ardhur pasi Putin ka lavdëruar vaksinën për koronavirus, të zhvilluar në kohë rekorde.

Kjo vaksinë është emëruar “Sputnik V”, sipas satelitit të periudhës sovjetike, njëherësh i pari i nisur ndonjëherë në Hapësirë më 1957.

“Në momentin që vaksina testohet dhe vërtetohet besueshmëria e saj, atëherë do të merret vendimi për t’iu rekomanduar kozmonautëve vaksinimin”, ka thënë kozmonauti tjetër, Sergei Kud-Sverchkov.

Ai ka thënë se vendimi varet nga doktorët, që janë përgjegjës për shëndetin e kozmonautëve, përfshirë imunizimin.

Rusia ka ngritur shqetësime në mesin e shkencëtarëve perëndimorë, kur ka njoftuar se vaksina për koronavirus është miratuar para se të kryhen të gjitha testimet klinike.

Ndonëse vaksina ka treguar rezultate premtuese në testimet fillestare, Rusia ende nuk ka kompletuar fazën finale të testimeve.

Megjithatë, Rusia tashmë ka vaksinuar zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe kryetarin e Moskës, Sergei Sobyanin.

Putin ka thënë se edhe vajza e tij është vaksinuar dhe është përballur me reaksion të lehtë.

Astronautët i nënshtrohen në mënyrë rutinore, një periudhe të karantinës, para se të nisen në Hapësirë.

“Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës është vendi më i sigurt tani. Neve nuk na duhet të vaksinohemi sepse përcjellim më mënyrë strikte të gjitha rregullat sanitare”, ka thënë Ryzhikov.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.