SHËNDETËSIA

Studim: Më shumë ka gjasa për mpiksje të gjakut në tru nga COVID-19 sesa vaksinat

Sipas një studimi të bërë thuhet se mpiksja e gjakut në tru është tetë deri në dhjetë herë me e lartë tek njerëzit me COVID-19 sesa ata që e marrin vaksinën.

Ndonëse studimi nga hulumtuesit e Universitetit të Oksfordit është bërë vetëm te të vaksinuarit me vaksinën Pfizer dhe Moderna, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Hulumtimi, i cili përfshinte të dhënat shëndetësore të 81 milionë njerëzve në SHBA, ka analizuar se kush ka më shumë gjasa për të pasur mpiksje të gjakut në tru, personat që e kanë kaluar COVID-19 apo ata që janë vaksinuar.

Edhe pse rastet e mpiksjes së gjakut në tru pas shërimit nga COVID-19 janë jashtëzakonisht të rralla, numrat tregojnë se 39 persona nga një milion kanë pasur mpiksje të gjakut dy javë pas infektimit me COVID-19, ndërsa rastet e mpiksjes nga vaksinimi janë shumë më të rralla.

Por, studiuesit nga Universiteti i Oksfordit thonë se studimi i tyre, i cili ende nuk ka pasur ndonjë vlerësim nga zyrtarët qeveritarë dhe është i ndarë nga grupi i krijuesve të vaksinës nga ky universitet, është ende një punë në progres dhe duhet të interpretohet me kujdes, sepse është e vështirë të llogaritet me siguri se sa e zakonshme është mpiksja e gjakut, pjesërisht për shkak se sa të rralla janë ato.

Studimi gjeti gjithashtu:

– Mpiksjet ishin më të zakonshme tek njerëzit që tashmë kishin sëmundje kardiovaskulare.

– 80 % e njerëzve që kanë mpiksje mbijetojnë.

– Disa raste u panë në moshat nën 30 vjeç, duke treguar se ata nuk janë të imunizuar ndaj komplikimeve serioze nga koronavirusi.

– Tek ata që kishin një vaksinë mARN – të tilla si Pfizer ose Moderna – ata vlerësojnë se mpiksja e gjakut në tru ndodhën në rreth katër në një milion njerëz.

– Nuk ka shifra të krahasueshme drejtpërdrejt për vaksinën AstraZeneca, sepse kjo vaksinë nuk është përdorur në SHBA.

Agjencia Evropiane e Barnave thotë se pas dhënies së vaksinës AstraZeneca ndodh një lloj i rrallë i mpiksjes së gjakut ku gjasat janë pesë njerëz në një milion, mirëpo këto të dhëna nuk mund të krahasohen me të dhënat e studimit sepse studimi është i bërë me të dhëna nga fushata e vaksinimit në ShBA.