EKONOMI

KOSTT zyrtarisht Zonë e Pavarur Rregulluese, brenda bllokut Kosovë-Shqipëri

Marrëveshja mes Operatorit të Sistemit dhe Transmisionit (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit dhe Transmisionit të Energjisë (ENTSO-E) është nënshkruar të marten, pas miratimit tw saj në prill nga Grupi Rajonal i Evropës Kontinentale (RGCE).

Nënshkrimi i saj është bërë i ditur prej vetë KOSTT-it, përmes një statusi në Facebook.

KOSTTI-i, me votimin e kësaj marrëveshjeje në prill e kishte fituar pavarësinë energjetike nga Serbia dhe operimin e pavarur si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri.

Marrëveshja e re e kyçjes KOSTT/ENTSO-E pritet të fillojë së zbatuari në vjeshtë.

KOSTT ka dhënë detaje se çfarë përfshin marrëveshja e re:

-Freskimin e Katalogut të masave, sipas rekomandimeve të Grupit të Projektit për KOSTT-in;

-Zëvendësimin e të gjitha referencave të doracakut të Operimit të Marrëveshjes Shumëpalëshe me referencat e SAFA (Marrëveshja Kornizë e Zonës Sinkrone);

-Që kompania Elektrosever, të aplikojë në ZRRE dhe të licencohet brenda 30 ditëve sipas kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës, për të furnizuar me energji elektrike konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërkaq përfitimet nga operacionalizimi i Marrëveshjes janë të mëdha:

-Inkasimi i të hyrave nga shfrytëzimi i rrjetit transmetues interkonektiv apo alokimi i kapaciteteve dhe menaxhimi i kongjestioneve, që kap vlerën në mesatare vjetore 4 – 8 milionë euro dhe nga transiti rreth 0.5 – 1.0 milion euro;

– Lëshimi në operim të plotë i linjës interkonektive 400 kV, Kosovë – Shqipëri;

-Implementimi i plotë i Marrëveshjes së Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri, nënshkruar në Tiranë, më 26.11.2019;

– Bashkimi i tregjeve elektroenergjetike me Shqipërinë si dhe

– Pjesëmarrja me aksione në Bursën Shqiptare të energjisë elektrike (APEX)

Leave a Reply

Your email address will not be published.