Kosova

Kosovës përçanë SHBA-në me BE-në

Kuvendi i Kosovës nesër në orën 11:00 do të zhvillojë seancën për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Mocioni është kërkuar nga aleati i tij, Isa Mustafa me argumentin se Kurti shkeli marrëveshjen me shkarkimin e ministrit të Brendshëm nga radhët e LDK-së. Por mocioni që me shumë gjasa do të rrëzojë qeverinë duke e futur Kosovën në një tjetër spirale krize ka përçarë edhe aleatët e Prishtinës, SHBA-BE-në.

I dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi nga Shtëpia e Bardhë, Richard Grenell seancën plenare në Kuvend, praktikisht rrëzimin e qeverisë, duke qenë se Kurti nuk pranoi heqjen e taksës ndaj Beogradit. Grenell shpërndau postimin e ambasadorit amerikan në Kosovë Philip Kosnett ku ky i fundit shprehej se ishte i kënaqur që po mbahet kjo seancë. “Jam i kënaqur të shoh që parlamenti nesër do ta mbajë seancën mbi mocionin e votëbesimit. Siç i kam thënë kryeministrit Kurti sot, është e rëndësishme që parlamenti dhe të gjitha institucionet ta respektojnë Kushtetutën”, shkroi ambasadori Kosnett.

Por në anën tjetër, Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që të shtyhet votimi i nesërm në Kuvendin e Kosovës për rrëzimin e qeverisë. “Franca dhe Gjermania janë të shqetësuara për situatën politike në Kosovë, në një kohë kur uniteti politik është i nevojshëm për të përballuar krizën me COVID-19. Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe plotësisht funksionale për t’u marrë me krizën. Prandaj, ne bëjmë thirrje që votimi i mosbesimit ndaj Qeverisë të rishqyrtohet apo të shtyhet.

Ne e mirëpresim synimin e kryeministrit Kurti për të rifilluar dialogun me Serbinë, dhe për t’i përfshirë të gjithë aktorët, në mënyrë që Kosova të flasë me një zë. Vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës më 20 mars, për të hequr tarifën prej 100 për qind ndaj lëndës së parë, është një hap i parë i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ne presim që tarifat do të hiqen plotësisht nga 1 prilli, dhe presim që edhe Serbia të veprojë” thuhet në deklaratë ndër të tjera.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.