OPINION

Kosovës nuk i duhen vetëm organizimet e karakterit ceremonial?!

Shkruan: Skënder MULLIQI
Sikur është bërë zakon organizimi i përvjetorëve për dëshmorët dhe heronjtë e kombit. Në këto përvjetorë po marrin pjesë si zakonisht bashkëluftëtarët e të rënëve, dhe strukturat partiake e shtetërore.

Të gjithë ata që ranë për lirinë dhe pavarësinë e vendit, e kanë vendin në piedestal dhe sigurisht së meritojnë nderime të përmotshme. Por, për të pasur e gjithë kjo kuptim, paraprakisht ishte dashur që amaneti i martirëve dhe dëshmorëve të kombit, të ishte përmbushur nga ata që e udhëhoqën shtetin për 20 vite, e nuk e drejtuan mirë anijen e Kosovës.

Tjetër. Më mirë do të ishte që në mënyrë të organizuar për çdo vit, të vizitoheshin familjet e të rënëve, për t’i ndarë hallet dhe problemet e jetës së bashku më ta, por edhe më shumë familje të tjera. Besa, nëse është nevoja edhe tu ndihmohet.

E sigurisht ka familje të tilla që kanë mbetur keq, dhe kërkojnë mbështetje institucionale. Këto përvjetorë shumë janë zvetënuar para opinionit të gjerë publik, së gjithnjë e më shumë po marrin karakter të fushatës apo të para fushatave elektorale!

Madje, dikush po përfiton politikisht dhe materialisht në kurriz të të vrarëve!

Kjo është për mua jo vetëm jashtë çdo logjike dhe morali, por është më shumë së turp.

Po jua lëkundin eshtrat e tyre në varr! Ata kanë luftuar për kauzën e shenjtë kombëtare.

Atëherë kur duhet strukturat partiake e shtetërore, nuk shkojnë për nderime, kurse i përmendin emrat e tyre në kohë fushate! I përmendin për të mbetur ose për të ardhur në pushtet, e asgjë më shumë.

“Po shkojë për nderime nëse kam kohë, e nëse nuk kam, nuk prishë punë”, kjo është bërë ” moto’ e tyre…

Ndasitë e thelluara politike dhe dukuritë e shumta negative që na goditën, nuk mbeten pa ndikime në politikat ekonomike. Ndikuan dhe krijuan përçarje edhe të spektri politik dhe të opinionit të gjerë publik…

Këto janë bërë barrë e rëndë, të cilat nuk po na lejojnë të ecim përpara…! Është koha e ndërtimit të shtetit të mirëfilltë ligjor e funksional, si shpëtim i dështimit tonë të deritashëm…! Vetëm me organizime të karakterit ceremonial, pa punuar sa duhet për shtetndërtim dhe mirëqenie, larg do të jetë dita kur bëhemi pjesë e Evropës së Bashkuar, si synim i kamotshëm i shqiptarëve.