Kosova

Kosovë/ Si është gjendja e pacientëve të prekur me koronavirus?

Në Klinikën Infektive të QKUK’së janë duke u trajtuar 47 pacientë të infektuar me Covid 19. Prej tyre dy persona janë në gjendje kritike për jetën.

Këto të dhëna i dha sot gjatë ditës për Express dhe T7 infektologu i QKUK’së, Valbon Krasniqi.

Krasniqi deklaroi se gjendja shëndetësore e 40 pacientëve është stabile. Ndërkohë sipas tij 4 pacientë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, dhe dy të tjerë janë në gjendje kritike.

“Ne tashmë jemi në javën e katërt të epidemisë në nivel vendi. Aktualisht i kemi 47 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive të prekur nga Covid 19. Për momentin ne i kemi 250 shtretër që janë në dispsicion për personat e prekur me koronavirus. Dy persona i kemi në kujdesin intensiv në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, pra në gjendje kritike. Dhe i kemi 4 pacientë të tjerë që janë të shtrirë në reparte e që gjendjen e kanë të rëndë”, ka deklaruar Krasniqi.

E Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka thënë se të hënën janë konfirmuar edhe 20 persona të infektuar me koronavirusin e ri.