Kosova

Kosovë/ A ka të vdekur në burgje nga koronavirusi, sa janë të infektuar?

Nga fillimi i pandemisë e deri më sot në institucione korrektuese nuk është shënuar asnjë rast vdekje si pasoje e Covid 19.

Aktualisht numri i rasteve pozitive në burgjet e Kosovës është nëntë, shtatë prej tyre janë shëruar derisa edhe dy raste janë aktive.

Dy të burgosurit të cilët janë të prekur me Covid-19 po trajtohen në karantinat e qendrave korrektuese.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për lajmi.net.

“Nga fillimi i pandemisë e deri më sot 9 persona të burgosur janë të prekur nga Covid 19, prej tyre 7 janë të shëruar, ndërsa aktualisht vetëm 2 të burgosur janë aktiv me Covid 19 dhe të njëjtit po trajtohen në karantinat e qendrave korrektuese”, thuhet në përgjigjën e SHKK-së.

Ndërkohë, Shërbimi Korrektues i Kosovës me 18 gusht, kishte marrë vendim që në burgje të lejohen vizitat e vetëm një anëtari të familjes për secilin të burgosur. Mirëpo për shkak të rritjes së rasteve të reja me koronavirus në vend, me 19 tetor, SHKK mori vendim për ndërprerjen e të gjitha vizitat e familjarëve dhe të tjerëve për të burgosurit.

“Si alternativë në të gjitha institucionet korrektuese do mundësohen telefonatat me të shpeshta dhe sistemi i komunikimit virtual përmes SKYPE sipas procedurave institucionale. Po ashtu, për shkak të ndalimi te përkohshëm të vizitave, pastrimi i rrobave për të burgosur do të organizohet në Institucione”, thuhet ndër të tjerash në njoftim”, ka njoftuar SHKK.

Ndryshe, numri i rasteve pozitive me Covid-19 është rritur dukshëm në javët e fundit në Kosovë. Vetëm  në 24 orët e fundit janë raportuat 168 raste të reja me Covid-19, derisa dy pacientë kanë humbur betejën me Covid-19.

Që nga 13 marsi kur janë raportuar rastet e para me Covid-19, në vendin tonë janë 17 mijë e 943 raste pozitive me virusin SARS-CoV-2.