Hi Tech

Kosovarët po përgjohen me të madhe, këto janë rrjetet sociale më të pasigurta

Përgjimi në telefon apo në ndonjë rrjet tjetër social, përbën shqetësim për siguri në mbarë botën. Secili nga ne mund të jemi viktima të përgjimit, por të mos e kuptojmë kurrë

Kështu thotë Mentor Hoxhaj, ekspert i rrjeteve sociale në Komunitetin për Siguri Kibernetike dhe Privatësi.

Hoxhaj tregon se përgjimi ndodh në disa nivele, në atë të operatorit telefonik, si dhe përgjimi përmes pajisjes.

“Niveli i përgjimit ndodh në disa nivele, është përgjimi në nivel të operatorit dhe përgjimi në nivel të pajisjes. Tek përgjimet të cilat ndodhin në nivel të pajisjes duhet të ndalemi tek përgjimet të cilat mund të ndodhin nga aplikacionet apo të kemi përgjim drejtpërdrejt në pajisje, kur vendoset diçka në pajisjen tuaj apo aplikacion prapë na pajisjen tuaj”, pohon Hoxhaj.

Por, përgjimi në asnjë rast nuk mund të kuptohet nga personat të cilët janë shfrytëzues të telefonit.

“Qytetari në asnjë rast nuk mund të kuptoj se është duke u përgjuar. Të gjithë ato që keni dëgjuar apo lexuar se do të dëgjoni zërin tuaj të dyfishtë, nxehët bateria dhe gjëra të tilla të ngjashme nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën. Shfrytëzuesi nuk mund të kuptoj asnjëherë se është duke u përgjuar, dhe operatori respektivisht i organeve të zbatimit të ligjit, e kanë për obligim që gjatë përgjimit shfrytëzuesi të mos e kuptoj që është duke u përgjuar”, tha Hoxhaj.

Por se sa shfrytëzohet kjo në Kosovë, Hoxhaj thotë se nuk ka të dhëna të sakta.

Ndërsa thotë se është keqpërdorur përgjimi i qytetarëve të Kosovës, në nivel shqetësues.

“Në Republikën e Kosovës nuk kemi të dhëna të qarta se sa është duke u shfrytëzuar kjo masë e fshehtë teknike që është në pajtim me kodin e procedurës penale, që duhej të ishte në pajtim me kodin e procedurës penale dhe përgjimet e komunikimeve elektronike, realisht nuk është duke u zbatuar plotësisht as Kodi i Procedurës Penale, as ligji për përgjimet e komunikimeve elektronike, momentalisht ne nuk e dimë  se sa është duke u shfrytëzuar, në mënyrë hipotetike mund të themi se është duke u keqpërdorur përgjimi i qytetarëve të Kosovës, mund të themi se është në nivelin shqetësues”, tregon Hoxhaj.

“Unë kisha rekomanduar që prokuroret të marrin vendime lidhur me shkatërrimet e materialeve të mbledhura më rastin e aplikimit të masave të fshehta. Në çdo rast kur ata vendosin të mos ngritin procedurë dhe të njoftohen në rast se ka pajtim me ligjin, të njoftohen qytetarët e Kosovës, se kanë qenë subjekt i përgjimit dhe qytetarët të kenë mundësi që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u ankuar nëse e drejta e tyre është shkelur”, shprehet Hoxhaj.

Rrjetet sociale në të cilat komunikimi është më i sigurt, ai tregon se janë, në Facebook Messenger dhe në Whatsaap.

“Komunikimi shumë më i sigurt është në rrjetet sociale, respektivisht në Facebook, edhe Messenger dhe Whatsapp”, tregon ai.

Rreziku i përgjimit nga rrjetet sociale ai thotë se është momenti kur klikojmë në linçet të cilat i pranojmë nga personat e panjohur.

“Qytetarët duhet ta kuptojnë se pavarësisht sigurisë që është në çdo rrjet social ekziston edhe rreziku, duhet në asnjë rast të mos hapin apo klikojnë në linçet të cilat i pranojnë nga personat e panjohur”, tha Hoxhaj.

Sa i përket rrjetit social “Snapchat”, i cili është shumë i përdorur nga të gjithë, Hoxhaj tregon se siguria në këtë aplikacion nuk është në nivel të duhur, dhe për këtë duhet të kenë kujdes përdoruesit.

“Personi tjetër gjithmonë ka mundësi teknike që të ruaj bisedat e juaja përkundër faktit që tani ka metodologji që vetë shkatërrohen apo Snapchat, i cili konsiderohet i sigurt në nivel të komunikimit sa i përket vetëshkarkimit apo idesë që ju mund ta dini se është ruajtur biseda, pranuesi ka mundësi që gjithmonë të marr video, fotot dhe bisedat pa e kuptuar ju si dërgues”, shprehet Hoxhaj.

Sipas tij, çështja e përgjimit nuk është e thjeshtë, por, ekzistojnë programe të cilat mund t’i keqpërdorin të dhënat e shfrytëzuesit.

“Çështja e përgjimit nuk është aq e thjeshtë dhe e lehtë asgjë nuk ka pa pagesë, por ekzistojnë aplikacione të ndryshme të cilat mundësojnë më pastaj që të përgjohen personat e tretë, ekzistojnë programe mbas të cilave fshihen edhe përgjimet, programe të cilat mbahen për të mbajtur një mbikëqyrje të mirë se me kënd janë duke biseduar dhe më pas ato programe mund të keqpërdoren”, tha ai

Hoxhaj: Mund të përgjohemi lehtë nga Facebook-u dhe Google

Hoxhaj po ashtu shpjegoi edhe një mënyrë të cilën mund të përgjohemi lehtë nga Facebook-u, po ashtu edhe nga Google.

“Në Facebook mundet në çdo kohë ta aktivizoj kamerën dhe tani mund të jetë e aktivizuar dhe nuk ka nevojë për lejen tonë. I ka të gjitha kontaktet tona, e din saktësisht ku jemi dhe ka qasje në mikrofon do të thotë që është duke na dëgjuar momentalisht se çka jemi duke biseduar. Çdo aplikacion tjetër është i ngjashëm, po ashtu edhe Google, për shembull, çka ka nevoja të ketë qasje Google në SMS, apo në telefon nuk do të duhej të kishte qasje. Ndërsa në kalendar apo lokacion është e logjikshme të ketë qasje”, tha Hoxhaj.

Po ashtu ai tregon se ekziston mundësia që të mbrohemi nga përgjimi, përmes një mbështjellësi i cili i ofron izolim total telefonit.

Hoxhaj tregon si të mbrohemi nga përgjimet në rrjetet sociale

“Aplikacionet e kanë bërë të mundshme që të kenë qasje, momentin e parë që ju lidheni me internet ata i marrin të dhënat e nevojshme, për të qenë të sigurt si shfrytëzues, janë disa mbështjellës dhe vetëm ashtu jemi plotësisht të sigurt. Është mbështjellës i cili të ofron izolim total të telefonit dhe gjatë kohës në të cilën është telefoni në atë mbështjellës jemi plotësisht të sigurt nga çfarëdo lloj përgjimi ndërsa nëse e heqim jemi të ekspozuar”, tha Hoxhaj.

Ndërsa mënyra më e lehtë që të hakohet llogaria në Facebook apo Instagram ai thotë se është fishing. Linku përmes të cilit mendojmë se jemi kyçur në llogarinë tonë, por në fakt ai thotë se është e kundërta, dhe kështu mund të ndodhë vjedhja e llogarisë.

“Mënyra më e lehtë që të hakohet një llogari në Facebook apo Instagram është fishing, është ajo metoda ku klikojmë në një link i cili ka ardhur dhe ju mendoni se jeni duke u kyçur në llogarinë tuaj, por, në fakt jeni kyçur në një faqe që duket se është e Facebook-ut, jepni password-in dhe ne momentin kur klikoni Enter, të dhënat tuaja I ka marr personi atje black head, ju në ato momente mendoni që keni shkruar passwordin gabimisht dhe tentoni të kyçeni prapë, kjo është mënyra më e zakonshme e vjedhjes së llogarive, ndryshe të gjithë format e password-it janë të thyeshme”, tha Hoxhaj.

Një mënyrë tjetër e mirë e cila ekziston, Hoxhaj thotë se është që ta kemi telefonin e lidhur me llogarinë tonë në rrjetet sociale.

“Është mirë që llogarinë ta kemi të lidhur me telefon, që të pranoni SMS, momentalisht këtë mund të bëni vetëm në Facebook. Ne si komunitet jemi munduar që ta kemi të mundur +383 në Facebook, jemi duke punuar që ta kemi kodin telefonik edhe në Instagram, kjo për momentin është mënyra më e sigurt”, tha Hoxhaj.

Ndryshe, në vitin 2011 në media u publikuan bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, ku ish- shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci  dëgjohej duke biseduar me presidentin aktual Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ish ministri Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura./arbresh.info

Leave a Reply

Your email address will not be published.