Kosova s’ka databazë për numrin e personave me autizëm, kërkohet ndërhyrje në fëmijëri të hershme

Republika e Kosovës nuk ka një databazë të qasshme me të dhënat për personat që janë me autizëm. Kështu u tha në konferencë me rastin e Shënimit të Ditës Botërore të Autizmit me moton “Më jep mbështetjen, të gëzoj të drejtat e mia”.

Kjo ngjarje e organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Shoqatën Autizmi, me Asociacionin Nacional i Autizmit në Kosovë (ANAK) si dhe Shoqatën Autizmi Flet, me ç’rast është diskutuar mbi gjendjen e përgjithshme të personave me autizëm ne Kosovë si dhe janë adresuar nevojat e tyre.

Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë nga Zyra e Kryeministrit, ka thënë se janë në finalizim të strategjisë nacionale për personat me aftësi të kufizuara.

“Sot jemi bërë bashkë për të shënuar Ditë Ndërkombëtare por të njëjtën kohë edhe për të bashkëbiseduar edhe për progresin dhe sfidat nga viti që lamë pas. Duke e ditur që kjo është edhe një ndër prioritet tona si qeveri. Ne si Qeveri jemi fokusuar dhe po punojmë në zbatim të legjislacionit për persona me aftësi të kufizuar. Ne si Qeveri kemi dhënë prioritet çështjes së trajtimi të barabartë dhe ajo që i dedikohet në mënyrë specifike personave me aftësi të kufizuar. Jemi duke zhvilluar strategjinë nacionale për personat me aftësi të kufizuar dhe se jemi në finalizim të kësaj politike përmes këtij dokumenti”, ka thënë ai.

Hatixhe Hoxha, nga Shoqata Autizmi ka thënë në qendrën e kësaj shoqatë në Prishtinë trajtohen 82 fëmijë me autizëm.

Ajo bëri thirrje që të miratohet ligji gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar, pasi sipas saj, ky ligj është jetik për këta persona.

“Është problem mungesa e një detabaze për personat me autizëm. Ende nuk ka Kosova një databazë, nuk kemi një numër të caktuar për të ditur sa persona kemi në Kosovë që janë me autizëm. Mungesa e infrastrukturës ligjore, po punojmë me ministrin për miratimin e ligjit gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar, është ligj jetikë për ta”, u shpreh ajo.

“Mungesa e asistenteve në shkolla, ministria ka punuar por kjo është një pikë uji në oqeane. Mungesa e logopedëve në shkolla. Trajnimet për edukator në çerdhe dhe kopshte”, ishin disa nga shqetësimet e saj.

Blerta Perolli, Prodekane në Fakultetin e Edukimit, ka thënë se sipas studimeve që janë bërë ndër vite është vërtetuar se ndërhyrja në fëmijëri të hershme kanë ndryshuar rrugën e zhvillimit për fëmijët si dhe kanë përmirësuar rezolutat tek fëmijët.

“Ndërhyrje në fëmijëri të hershme në radhë të parë kanë ndryshuar rrugën e zhvillimit për fëmijët, kanë përmirësuar rezultatet për fëmijët, për familjet dhe komunitete dhe kanë ndikuar pozitivisht në të gjitha sferat e zhvillimit. Mbështetja e duhur gjatë këtyre viteve të para kritike e nxitë zhvillimin e përmirëson përfshirjen dhe pjesëmarrje e tyre dhe e garanton një cilësi të jetës çfarë të gjithë synojmë të arrijmë”, ka thënë ajo.

Go to TOP