Kosova

Kosova në situatë të pafavorshme dhe pa shpresë për anëtarësim në ditën e OKB-së

Sot, në botë shënohet Dita Ndërkombëtare e Organizatës Kombeve të Bashkuara – organizatë kjo pjesë e së cilës Kosova aspiron të jetë.

Por cila është pozita e Kosovës në raport me Organizatën e Kombeve të Bashkuara?

Aktualisht, Kosova edhe 12 vite pas shpalljes së pavarësisë nuk ka arritur të gëzojë lëvizje të lirë në zonën shengen ndërsa, aspiratat edhe më të larta si anëtarësimi në Bashkim Evropian, NATO dhe në Kombet e Bashkuara duken shumë larg.

Njohësi i integrimeve evropiane dhe profesori Avni Mazreku në një bashkëbisedim për lajmi.net është shprehur se raporti aktual i Kosovës me Organizatën e Kombeve të Bashkuara është i pafavorshëm për shkak të rezolutës 1244.

Sipas tij, dështimi i miratimit të një rezolute të re të propozuar nga Ahtisari e cila do të rrëzonte rezolutën 1244 ka bërë që Kosova të ketë pozitë të tillë. Sipas rezolutës 1244, Serbia ende ka sovranitet mbi shtetin e pavarur të Kosovës.

“Raporti i Kosovës me OKB-në është mjaft i pafavorshëm derisa ekziston rezoluta 1244 e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Fatkeqësisht edhe pse ka pasur të dërguar Special nga Kombet e Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës qysh në vitin 2007, pra Ahtisari, propozimi i tij ishte që të bëhej rezolutë e re të Këshillit të Sigurimit, rezolutë kjo që do ta shfuqizonte rezolutën 1244, si rezultat i mosekzistimit të konsensusit të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, kjo nuk është arritur”, tha Mazreku për lajmi.net.

Më tutje ai shton se të gjitha problemet e Kosovës në OKB janë rrjedhojë e rezolutës 1244 për ç’arsye, Kosova detyrohet të raportojë çdo tre muaj përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Kosova ende trajtohet nga këndvështrimi i OKB-së sipas rezolutës 1244 dhe kjo e vendos Kosovën në pozitë të pafavorshme dhe në bazë të kësaj Kosova detyrohet të raportojë në Këshillin e Sigurimit për çdo 3 muaj dhe Kosova nuk ka situatë të favorshme juridike përderisa ekziston rezoluta 1244.”, tha ai më tutje.

Cilat janë shpresat e Kosovës për anëtarësim në OKB?

Lidhur me shpresat e Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Mazreku thotë se në kompozicionin aktual është pothuajse e pamundur të mendohet.

Sipas tij, me 5 shtetet anëtare të përhershme të Kombeve të Bashkuara, Kosova ka gjasat minimale të jetë pjesë e OKB-së.

“Në kompozicionin aktual të Këshillit të Sigurimit që është organi më i rëndësishëm vendimmarrës që i ka 5 shtete anëtare të përhershme dhe 10 që ndryshohen me rotacion, gjasat e Kosovës për anëtarësim në OKB janë mjaft të vogla, sepse siç thamë më përpara, dështimi i propozimit të Ahtisarit që do të zëvendësonte rezolutën 1244 dhe do të rekomandonte njohjen e pavarësisë së Kosovës ka bërë që kjo të jetë mjaft problematike. Dhe Këshilli i Sigurimit nuk ka pasur kompromis në trajtimin e rezolutës 1244. Nëse nuk shfuqizohet rezoluta 1244 dhe të bëhet rezolutë tjetër, pra të shfuqizohet sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën atëherë gjasat e Kosovës që të anëtarësohet në OKB janë mjaft, mjaft të vogla.”, tha Mazreku.

Ai gjithashtu ka shtuar se pas dështimit të rezolutës së re dhe shfuqizimin e 1244-shit, një rrugë tjetër për realizimin e sovranitetit të Kosovës ka qenë anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por pengesë në këtë rrugë kanë qenë pesë shtetet anëtare që nuk e njohin ende Kosovën.

“Duke e parë që komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në rezolutën e re, pra rruga që është projektuar realizimi i sovranitetit të Kosovës ka qenë anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe pas anëtarësimit në BE do të mund të imponohej tek anëtarët pra, Kina dhe Rusia çështja e Kosovës si fakt i kryer dhe që së paku këto dy vende të mos e përdorin veton për bllokimin e ndryshimit të rezolutës 1224. Siç dihet, Kosova ka hasur në pengesa edhe këtu për arsye se janë pesë shtete anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën dhe rrjedhimisht Kosova s’mund të jetë anëtare e BE-së pa u njohur nga të gjitha shtetet anëtare, dhe në këtë vijë është e pamundur të ndodh.”, tha tutje Mazreku.

Mazreku potencon se skenari i tretë i integrimit të Kosovës është njohja nga Serbia nëpërmjet procesit të dialogut – hap ky i cili do t’i shuante argumentet juridike dhe politike të vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, por që sipas profesorit Mazreku, nuk dihet se kur Serbia do të jetë e gatshme dhe se çfarë kompromisi do t’i kërkohet Kosovës.

“Skenari i tretë është të arrihet njohja e pavarësisë së Kosovës përmes procesit të dialogut me Serbinë dhe kështu argumentet politike dhe juridike që vendosin shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën zbehen. Pra këto shtete i humbin argumentet politike që aktualisht i kanë për mosnjohjen e Kosovës. Pra, kur Serbia do të jetë e gatshme për një hap të tillë dhe çfarë kompromisi duhet të bëjë Kosova janë pyetje të hapura dhe të paqarta”, tha Mazreku në fund.

E lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB sot ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai nëpërmjet Tëitterit është shprehur se sot kur njerëzimi po përballet me sfida të reja është thelbësore të qëndrojmë të bashkuar.

“Roli i OKB-së në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në botë mbetet e rëndësishme. Sot, kur njerëzimi përballet me sfida të reja është thelbësore që ne të qëndrojmë të bashkuar në ruajtjen e një të ardhme të sigurt të vendeve tona. Tani është koha që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara”, ka shkruar ai në Tëitter.

Kur dhe si u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe cili është qëllimi i saj?

Kombet e Bashkuara është Organizata Ndërkombëtare më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, veprimtaria e të cilës daton që nga viti 1945.

Qëllimi kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik, dhe ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë. Ajo është vazhduese e Lidhjes së Kombeve, por me një strukturë, organizim dhe anëtarësi shumë më të gjerë dhe më të plotë. Iniciatorët te krijimit të saj u bënë fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist, SHBA dhe Britania e Madhe të cilët në pikën e 11 të Kartës së Atlantikut të nënshkruar në 14 gusht 1941 dhe që përmbante principet bazë mbi rendin e ri botëror të ardhshëm, ranë dakord që pas luftës do të krijohej “..një sistem i vazhdueshëm i sigurisë së përgjithshme”.

Në Deklaratën e 1 janarit 1942, e nënshkruar nga përfaqësuesit e 26 shteteve të koalicionit anti-fashist dhe anti-nazist u ritheksua nevoja për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme që do t’u siguronte kombeve mundësinë për të jetuar të sigurt brenda kufijve të tyre. Ideja e krijimit të një organizate të re universale dhe emërtimi “Kombet e Bashkuara”, u rimor në shqyrtim në Konferencën e Ministrave të Punëve të Jashtme të SHBA, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe , që u zhvillua në Moskë me 19 deri 30 tetor të vitit 1943. Në Deklaratën mbi Sigurinë e Përgjithshme që u nënshkrua më pas edhe nga Kina, u formulua për herë të parë vendimi mbi krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa parimet, struktura dhe funksionet e organizatës u formuluan në Konferencën e Dumbarton Oaks (lokalitet afër Uashingtonit), që u zhvillua nga 21 gusht deri me 29 shtator të vitit 1944, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Kinës. Konferenca përpunoi dokumentin e quajtur “…propozime për krijimin e organizatës ndërkombëtare të sigurimit të përgjithshëm”. Në shkurt 1945 u mbajt Konferenca e Jaltës, në Krime, me pjesëmarrjen e Franklin Ruzvelt, Stalin dhe Churcill. Ajo hodhi bazat politike të të gjitha bisedimeve për paqe pas përfundimit të luftës. Në këtë konferencë u ridiskutua dhe u ra dakord përfundimisht për krijimin e OKB si një organizatë ku mund të bënin pjesë kombe të mëdhenj e të vegjël. SHBA thirrën Konferencën e San Franciskos, ku do të merrnin pjesë të gjithë shtetet që i kishin shpallur luftë Gjermanisë naziste deri në mars 1944. Konferenca e San Franciskos i zhvilloi punimet e saj nga 25 prilli 1945 deri me 26 qershor të vitit 1945. Ajo pranoi dështimin e Lidhjes së Kombeve për pengimin e Luftës së Dytë Botërore. Me 26 qershor 1945 u miratua Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila hyri në fuqi me 24 tetor 1945. Kjo datë u shpall si Dita Ndërkombëtare e OKB-së.