SPORT

Kosova merr sinjale të mira nga Maqedonia

Ndeshja e plejofit e Ligës së Kombeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës pritet të zhvillohet në stadiumin “Toshe Proeski Arena” në Shkup.

Kështu ka thënë të enjten presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini. Ai në një intervistë për mediumet nga Shkupi, ka insistuar se Federata maqedonase nuk ka opsion tjetër tash për tash sa i përket ndeshjes së Kosovës dhe arena mund të ndërrohet vetëm me rekomandimin e Komisionit për Integritet të UEFA-s, shkruan sot Koha Ditore.

Ndeshja gjysmëfinale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të zhvillohet më 26 mars të vitit të ardhshëm, kurse stadiumi ende nuk është caktuar, gjë që sipas Sejdinit pritet të bëhet javën e ardhshme, më 18 dhjetor në mbledhjen e këshillit drejtues të federatës maqedonase.

“Fillimisht, ne si federatë dhe të gjithë duhet të punojmë në drejtim që kjo ndeshje të jetë një në të cilën do të mbizotërojë futbolli, pra të bëjmë një spektakël të vërtetë. Do të punojmë shumë dhe të tregojmë dinjitet, kurse në fund të ndeshjes t’ia shtrijmë dorën njërin-tjetrit pavarësisht fituesit”, është shprehur Sejdini.

“Më 18 të këtij muaji, do të mblidhet këshilli drejtues dhe së bashku do të vendosim se ku do të zhvillohet ndeshja me Kosovën. Alternativa e parë është që të luhet në stadiumin ‘Toshe Proeski’ në Shkup, por do ta kisha lënë një rezervë në rast se komisioni për integritet i UEFA-s vlerëson se kjo ndeshje mund të ketë rrezikshmëri dhe na rekomandon për ndonjë ndryshim. Por e them se kjo ndeshje do të luhet në Shkup dhe besoj se me organizimin që do ta bëjmë, do t’i tregojmë gjithë botës se dimë të bëjmë tifo në mënyrë korrekte”.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483