SHËNDETËSIA

Kosova mbetet prapa në trajnimet e stafit mjekësor për metodat e reja të punës

95 për qind e operacioneve në Kosovë, sipas drejtorit të Klinikës Torakale të QKUK-së, Saudin Maliqi, bëhen duke u hapur trupi i njeriut. Në botë, sipas Maliqit, 80 për qind e operacioneve bëhen pa e hap fare trupin e njeriut.

Sipas tij, Kosova ka mbetur prapa sa i përket trajnimit të stafit mjekësor për përdorimin e metodave të reja të punës dhe përdorimit të pajisjeve të reja teknologjike, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kosova është vend i varfër dhe si pasojë e kësaj të gjithë mjekët në vend janë të vonshëm për përdorimin e metodave të reja të punës. Unë personalisht kam qenë në disa trajnime në Amerikë dhe Evropë, dhe kam kërkuar mundësi për trajnim të profesionalistëve tanë pa pagesë”, ka thënë Maliqi.

Arbnora Bakalli, e cila është pediatre në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ka thënë për gazetën se shumicën e trajnimeve është dashur që mjekët t’i kryejnë me para vetjake.