SPORT

Kosova – Mali i Zi: Si u notuan lojtarët e dy skuadrave

Bersant Celina ishte ylli i ndeshjes në fitoren e mbrëmshme 2:0 të Kosovës kundër Malit të Zi, sipas SofaScore, përderisa portieri i Malit të Zi, Danijel Petkovic, i cili luajti vetëm për 15 minuta, u vlerësua si “dështaku i ndeshjes”.

Kosova arriti ta sigurojë mbrëmë një fitore shumë të rëndësishme kundër Malit të Zi për ëndrrat për kualifikim në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohen verën e vitit të ardhshëm.

Djemtë e Bernard Challandes arritën ta gjejnë golin e parë qysh në minutën e dhjetë të ndeshje, përmes Amir Rrrahmanit, e atë të dytën në minutën e 34-të, përmes Vedat Muriqit.

Përkundër që shënoi gol, Muriqi, bashkë me Mërgim Vojvodën, ishin dy lojtarët e vlerësuar me notat më të dobëta nga skuadra e Kosovës (6.9), përderisa nota mesatare e skuadrës ishte 7.32.

Më i miri i ndeshjes u vlerësua mesfushori Bersant Celina, i cili e asistoi golin e shënuar nga Amir Rrahmani dhe e bëri pasimin kyç që çoi te goli i shënuar nga Muriqi. Me 43 paraqitjet e tij, ai i krijoi nëntë raste të mira.

Në anën tjetër, notën më të ulët nga skuadra e Malit të Zi e mori portieri Danijel Petkovic, i cili luajti vetëm gjatë 15 minutave të parë të ndeshjes dhe pastaj u zëvendësua. Trajneri i Malit të Zi tha se Petkovicin e zëvendësoi shkaku i një lëndimi, mirëpo ai kishte bërë gabime të shumta deri në ato momente.

Përderisa 6.9 ishte nota më e ulët në skuadrën e Kosovës, te ajo e Malit të Zi kjo është nota më e lartë. Sulmuesi Stefan Mugosa dhe kapiteni Nikola Vukcevic u vlerësuan me këtë notë, përderisa nota mesatare e skuadrës ishte 6.44.

Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Kosovën e presin dy ndeshje të vështira në muajin nëntor – ajo kundër Çekisë si mysafire dhe pastaj në “Fadil Vokrri” kundër Anglisë. Këto do të jenë dy ndeshjet e fundit të Grupit A.

Por, edhe nëse Kosova s’arrin të radhitet në dy vendet e para të Grupit A, ajo e ka një mundësi tjetër për t’u kualifikuar – përmes play-offs kualifikues. Në gjysmëfinale të play-offs, Kosova përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale e pret ose Bjellorusia ose Gjeorgjia.