Kosova

Kosova kujton Lugarin

Liderët e Kosovës kanë kujtuar ish-senatorin amerikan, Richard Luger, që vdiq të dielën në moshën 87-vjeçare.

Ata e kanë vlerësuar si mik të madh të Kosovës, republikanin që kishte përkrahur ish-presidentin Bill Clinton për intervenimin në Kosovë.

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e ish-senatorit amerikan, Richard Lugar, mikut të madh të Kosovës. Ai bëri shumë për Kosovën, në ditët më të vështira për popullin tonë. Ishte një prej zërave më të mëdhenj pro intervenimit të NATO-s dhe një mbështetës i pavarësisë sonë. Do ta ruajmë përjetësisht kujtimin për të!” ka shkruar në Facebook presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se shqiptarët do t’i jenë mirënjohës përjetë Lugarit.

“Kosova sot ka humbur një nga miqtë e saj të shquar, ish-Senatorin amerikan nga Partia Republikane Richard Lugar, mbështetësin e madh të pavarësisë sonë. Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës përjetë përfaqësuesit të shtetit Indiana në Senat, Lugar, i cili së bashku me John McCain përkrahu Presidentin Bill Clinton për intervenim kundër Serbisë, për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar ai.

Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se Kosova do t’i mbetet përherë borxhli Lugarit për ndihmën që ka dhënë.

“Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur një burrështetas të kalibrit ndërkombëtar, senatorin Richard Lugar, i cili ka pasur rol protagonist në politikën e jashtme të këtij vendi, duke e bërë botën më të paqtë e më të sigurt. Mirëpo, për ikjen e tij, sot është e pikëlluar edhe Kosova, që te senatori Lugar ka gjetur për dekada me radhë një mik të sinqertë e të përkushtuar, i cili na është gjetur në vështirësi e nevojë. Mbështetja dhe zëri i tij i fuqishëm ishte një rreze e fortë drite për popullin tonë në kohët më të errëta. Ai do të mbetet përherë në kujtesën tonë si një fisnik që është përpjekur ta bëjë këtë botë më të mirë dhe i mbetemi përherë borxhlinj për ndihmën që na ka dhënë”, ka shkruar Veseli.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483