SPORT

Kosova kërkon rezultat pozitiv ndaj Rusisë

Futbollistet e përfaqësueses së Kosovës të enjten mbrëma e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin “Brita Arena” në Wiesbaden të Gjermanisë.

Në të njëjtën arenë të premten nga ora 18:00 luhet ndeshja Kosova – Gjermania, që i takon eliminatoreve për “Euro 2021”. Me vendim të UEFA-s, kjo ndeshje luhet në terren neutral, njëjtë si ndeshja në të cilën Rusia do të jetë nikoqire.

Kosova është e katërta në grupin A me gjashtë pikë nga tri ndeshje. Bilanc të njëjtë ka edhe Rusia që renditet e treta. Rusia vlerësohet favorite, por futbollistet e Kosovës nuk ndjehen inferiore. Ato kanë thënë se synim është fitorja, ndërsa presin edhe përkrahje të madhe nga shikuesit.

Kosova ka zhvilluar vetëm tri stërvitje në Gjermani, të mërkurën dy e të enjten një. Rusia në Gjermani është vendosur shumë më herët dhe ka zhvilluar fazë më të gjatë përgatitore për ndeshjen e së premtes mbrëma.

“Atmosfera është shumë e mirë. Vajzat janë shumë të motivuara dhe do të japim më të mirën për të arritur rezultat pozitiv”, ka thënë futbollistja Valentina Limani.

“Sa më shumë gola kundër Rusisë do të ishte më mirë, por Rusia ka përfaqësuese të fortë. Nuk do ta respektojmë më shumë se që duhet dhe shpresojmë që në fund të fitojmë. Shpresojmë që të kemi edhe përkrahjen e shikuesve që të jemi më të motivuara”, ka thënë Edona Kryeziu.

Fitorja eventuale ndaj Rusisë do të ishte më e madhja e Kosovës deri më tani. Futbollistet kosovare në këtë cikël kanë mposhtur Turqinë dhe Estoninë. Kanë pësuar nga Sllovenia.