Kosova

Kosova ende pa regjistër të kimikateve dhe mbeturinave të rrezikshme

Pesë vjet pas miratimit të Ligjit për kimikate, në të cilin parashihet që Regjistrin e përgjithshëm të kimikateve, në formë të shkruar dhe elektronike, ta mbajë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kosova ende nuk ka një regjistër të tillë.

Institucionet e vendit e as qytetarët nuk e dinë saktësisht se sa është numri i kimikateve dhe mbeturinave të rrezikshme dhe se cili është efekti i tyre në mjedis, shkruan sot “Koha Ditore”. Mungesën e një regjistri të tillë deri më tani në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) e kanë arsyetuar me miratimin, sipas tyre, e vonshëm të Ligjit për kimikate. Ligji në fjalë ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2014.

Përveç kësaj, vonesën e hartimit të regjistrit në ministri e kanë arsyetuar edhe me mungesë të e buxhetit për sektorin e mjedisit. Ata kanë vlerësuar se ky sektor nuk ka qenë prioritet për Qeverinë e Kosovës.

Ky problem pritet të zgjidhet përmes një tenderi publik, procedurat për të cilin është duke i zhvilluar MMPH-ja. Hartimi i këtij regjistri, në të cilin, sipas Ministrisë, do të mblidhen të dhënat për kimikatet dhe mbeturinat e rrezikshme dhe vetitë e tyre, është paraparë të kushtojë 100 mijë euro.