Kosova

Kosova e paunifikuar para fillimit të dialogut me Serbinë

Kosova ende nuk e ka të qartë qëndrimin me të cilin do të shkojë në dialogun me Serbinë në Washington më 27 qershor, vlerësojnë analistët.

Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, ka përmbledhur atë se çka dihet deri tash sa i përket takimit në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 27 qershor. Sipas tij, ende nuk dihet çka realisht do të ndodhë në këtë dialog mes Kosovës dhe Serbisë, pasi siç thotë ai, ka moskordinim mes deklaratave të kryeministrit Avdullah Hot e presidentit Hashim Thaçi. Në anën tjetër, edhe përfaqësuesit special të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Brenda 48 orëve të fundit: – Grenell ka njoftuar se Serbia ka pezulluar fushatën e çnjohjeve – gjë që Serbia mohoj pas 24 orëve; – Presidenti Thaçi tha se në takimin e 27 qershorit Kosova është gati për “marrëveshjen historike paqësore”; – Presidenti Vuçiq tha se, në fakt, në takimin e 27 qershorit nuk do të diskutohet njohja e Kosovës , por do të diskutohen çështjet ekonomike; – Sot, Kryeministri Hoti tha se asnjë gjë nuk është e qartë”, shkruan Shasha në Facebook.

Sipas Shashës, “nuk e dimë se si do të shkoj takimi i 27 Qershorit apo çfarë rezultate do të këtë, sidoqoftë qysh tani mund të pajtohemi se ka një mungesë të thellë të koordinimit dhe komunikimit në mes të palëve dhe pritjeve të tyre nga takimi respektiv”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur të mërkurën për dialogun me Serbinë, duke thënë se marrëveshja finale do të bazohet në kushtetutë, porse, ka thënë se ende nuk dihet se ku ka arritur procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam kërkuar nga partnerët tanë në ditën e parë të detyrës, në telefonatat në Berlin, Paris, Washingon, Brukel, kam kërkuar si kryeministër të di ku ka arritur procesi. Përgjigja e tyre ka qenë se nuk ka arritur askund, dhe se do të uleni si dy shtete të pavarura që do të negocioni për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që çon te njohja reciproke”, ka thënë Hoti.

Me ndërmjetësimin e të dërguarit amerikan për dialogun, Richard Grenell, të dyja shtetet do të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Presidenti Hashim Thaçi, të martën, tha se beson se ky takim do të sjellë marrëveshje me njohje reciproke dhe se nuk do të ketë diskutime për territore. Por, siç raportoi të martën KOHA, Thaçi i është shmangur pyetjes se kush është pajtuar nga Kosova që të ndalë përpjekjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

E kur është pyetur se a mund të ketë nënshkrim të marrëveshjes më 27 qershor, Thaçi ka thënë se do ta firmosë nëse është marrëveshje e mirë.

Derisa dje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi pretendimet se Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës në prag të Ditës së Vidovdanit.

“Kam turp të përgjigjem që Serbia e njeh Kosovën në prag të Vidovdanit. Kam turp, pasi kjo flet më shumë rreth tyre. Asnjëherë nuk do të jetë temë. Kjo flet për ato që kanë bërë të tjerët”, tha ai.

Në anën tjetër, Emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka marrë konfirmimin nga qeveritë në Prishtinë dhe Beograd se do t’i përgjigjen ftesës për një takim në Washington më 27 qershor. Për t’u lënë vend negociatave, sipas Grenellit, Serbia do ta pauzojë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës, ndërsa Kosova duhet të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

E menjëherë pas këtyre deklaratave, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka falënderuar Algjerinë për siç ka thënë ai “mbajtje të pozicionit parimor” kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë që i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili të mërkurën shënon ditën e dytë në Kosovë, pas takimit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar që Kosova të jetë unike në dialogun me Serbinë.

“Theksova nevojën që Kosova të flasë me një zë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Çdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për njerëzit e saj”, shkroi Lajçaku në Twitter.

Ndërsa të martën mbrëma, publicisti Veton Surroi në emisioni DESKU në KTV, ka thënë se tash nuk janë kohërat më të mira për të zhvilluar negociata me Serbinë. Sipas tij, Kosovës i duhet konsensusi shoqëror dhe në fazën e re të dialogut të hyjë më e fuqishme. Ai konsideron se në dialog Serbia po hyn me fuqi të plotë e Kosova jo.

“Kemi një shpërputhje të fuqisë, Serbia hyn me fuqi të plotë. Pasi të mbarojnë zgjedhjet, është e pritshme që Vuçiq të ketë përkrahje mbi 50 për qind të votuesve. Padyshim është forca kryesore në Serbi dhe ka mundësi të vendimmarrjes. Në Kosovë s’kemi fuqi të tillë politike. Do të ishte me mend në proces negociator të krijohet një lloj konsensusi shoqëror. S’shoh shumë hapësirë për këtë, meqenëse kemi dalë prej një konflikti politik dhe formimit të qeverisë ashtu siç u formua. S’janë kohërat më të mira për të zhvilluar negociata dhe këtë duhet marrë si handikap”, ka thënë ai.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.