KULTURË

Kosova dhe Turqia me marrëveshje për bashkëprodhim në kinematografi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Vlora Dumoshi dhe Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë Mehmet Nuri Ersoy, kanë nënshkruar sot marrëveshjen ndërshtetërore e cila do të rregullojë dhe promovojë bashkëprodhimin filmik në mes të Kosovës dhe Turqisë.

Kumtesa nga MKRS-ja thotë se marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim që të përcaktojë bazat që kanë të bëjnë me prodhimin e përbashkët të Filmit dhe Serive televizive.

“Me qëllim të zbatimit dhe funksionimit efektiv marrëveshja përcakton themelimin e nënkomisionit për bashkëprodhimet e filmave dhe serive televizive, të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve kompetente të secilës palë dhe të bashkë-kryesuara nga palët”, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Ministrja Dumoshi është shprehur shumë e lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

“Kjo marrëveshje përtej detajeve dhe modaliteteve që përcakton, ka një rëndësi të madhe për bashkëpunimin kulturor, sidomos atij në fushën e kinematografisë, midis Kosovës dhe Turqisë dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve”, ka theksuar ministrja Dumoshi.