Kosova dhe Serbia “me dallime të mëdha” për dinarin

Kosova dhe Serbia kanë përfunduar edhe një rund bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua më 1 shkurt në Kosovë. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha dhe kërkohet një takim shtesë, ndërkaq ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kritikoi Prishtinën se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi.

Bislimi, pas takimit me Petkoviqin nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, tha se janë diskutuar propozimet e palëve për çështjen e dinarit.

“U pa se ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo”, tha Bislimi.

Bislimi nuk deshi të japë detaje për propozimet, pasi argumentoi se do të dëmtohej procesi negociues, por tha se ai i Kosovës ishte “konstruktiv”.

“Mendoj që pala jonë ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe korniza legjislative e vendit tonë”, tha Bislimi.

Por, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi.

“Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ju keni propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.

“Kjo është ajo që më shqetëson shumë. Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Më shqetëson pozita dhe e ardhmja e popullit serb në Kosovë kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, shtoi Petkoviq.

Kryenegociatori serb tha se Beogradi do të vazhdojë bisedimet për të arritur një zgjidhje për këtë çështje, teksa paralajmëroi takimin e radhës për prill.

Ai përsëriti se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.

“Ky është thelbi i propozimit tonë”, tha ai.

Bislimi, ndërkaq, gjatë prononcimit për media, tha se në bisedimet e së hënës, Kosova u tregua e gatshme për fleksibilitet maksimal, por brenda rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe kornizës ligjore, “për arsye se fokusi ynë ka qenë qytetari për të cilin jemi të bindur se ka nevojë dhe duhet të ketë mundësi që të pranojë edhe më tej mbështetjen financiare të cilin shteti i Serbisë e ka paguar deri më tani”.

Ai tha se një zgjidhje për rregulloren e BQK-së, që parasheh euron si valutën për pagesa, është i mundur dhe lehtë i arritshëm, “vetëm se duhet vullnet politik i të dyja palëve”.

Fillimisht, më herët gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.

Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Në një intervistë dhënë REL-it javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha pas takimit javën e kaluar se pret në takimin e 25 marsit të vazhdohen diskutimet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit serb.

Stano tha se takimi i javës së kaluar “ishte i rëndësishëm për të saktësuar faktet dhe për të sqaruar disa çështje”.

“Palët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje të hënën me 25 mars, me qëllim që të diskutojnë propozimet konkrete dhe të gjejnë një zgjidhje afatshkurtër”, shtoi ai.

Kjo ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla prej së hyri në fuqi rregullorja e BQK-së.

Në takimin e javës së kaluar ishte diskutuar edhe për Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Stano paralajmëroi pas atij takimi se nevojitet një takim i nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, sikur edhe kërkesat shtesë për formalizm, kanë nevojë të adresohen nga liderët gjatë takimit të radhës në nivel të lartë, në kuadër të dialogut”, tha Stano javën e kaluar.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

BE-ja paralajmëroi në fillim të kësaj jave se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Ajo kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Go to TOP