Kosova

Kosnetti kritikon projektligjin që mbron vlerat e UÇK-së, por së shpejti ai del në votim

Projektligji për vlerat e luftës, i cili parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, pritet të dalë së shpejti për votim në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve të fundit të ambasadorit të SHBA-së, Philip Kossnet. Ambasadori amerikan të mërkurën ka dalë kundër këtij ligji, duke e cilësuar atë të shtrenjtë dhe mënyrë jo të duhur për të treguar respekt për UÇK-në.

E me këto kritika nuk janë pajtuar përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës. Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL-së, ka thënë se janë habitur me reagimin e Kossnetit, duke qenë se ai në një takim të mbajtur me OVL-në e kishte mbështetur këtë nismë, raporton KOHA.

Ky projektligj ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, fillimisht në prill të vitit 2018, ndërkaq në tetor të po atij viti ishte shqyrtuar në parim nga komisioni i njëjtë funksional.

Por, sipas zyrtarëve të PDK-së, procedimi i mëtejmë i këtij projektligji kishte ngecur, për shkak të ndryshimeve në udhëheqjen e ekzekutivit të vendit gjatë vitit 2019.

E më 14 korrik, Qeveria e Kosovës ka mbështetur Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke e proceduar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Se duhet proceduar tutje në Kuvendin e Kosovës këtë projektligj ka thënë edhe deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj. Ai ka theksuar se, pavarësisht kritikave që vijnë në këtë drejtim, ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së duhet shtyrë përpara.

E kritika për përmbajtjen e këtij projektligji kishte pasur edhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, por që e njëjta nuk e kundërshton miratimin e një ligji të tillë.

Ndonëse ende nuk duhet data se kur ky projektligj do të dalë para deputetëve, javë më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe një rezolutë që ka për qëllim mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483