Kosova

Kosnett: S’mjaftojnë ligjet e mira pa dënimin e zyrtarëve të korruptuar dhe konfiskimin e pasurisë

Porosi të ashpra kundër zyrtarëve publik të përfshirë në korrupsion ka dhënë ambasadori i ShBA-së, Philip Kosnett.

Në një video disa minutëshe e cila është bërë në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit e cila organizohet nga grupi prej disa OJQ-ve dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane, Kosnett ka thënë se ligjet e mira nuk janë efektive kur nuk gjejnë zbatim.

“Ligjet e mira dhe procesi më transparent janë të rëndësishme, por nuk mjafton ti keni sistemet në letër nëse ato nuk zbatohen me ndershmëri, plotësisht dhe në mënyrë të vijueshme”, ka thënë ai.

Sipas Kosnettit qytetarët e Kosovës duhet të shohin që ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe që ai përdoret për të ndëshkuar sjelljen korruptuese, veçanërisht kur kryesit janë zyrtarë qeveritarë dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt.

Kosnett ka thënë se përtej mesazheve për llogaridhënie në Kosovë, duhet të këtë veprime konkrete. Ka përmendur dënimin e zyrtarëve të korruptuar dhe konfiskimin e pasurisë se krijuar përmes korrupsionit.

“Llogaridhënie do të thotë shkelësit e ligjit në burg; konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet”, përfundon ai.