Kosova

Kosnett: Negociatat LVV-LDK do të përfundojnë shumë shpejt

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett ka besim se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës shumë shpejt do ta arrijnë marrëveshjen për të qeverisur së bashku për 4 vitet e ardhshme.

Kosnett tha se nga takimet që i ka pasur me palët, është optimist se do të ketë bashkëpunim, dhe sipas tij negociatat janë krejtësisht normale.

“E përsëris, se unë nuk jam palë dhe as nuk jam i përfshirë direkt në negociata midis palëve, por jam takuar me përfaqësuesit e partive të pakicave. Mendoj se ata janë kryesisht optimistë për qeverinë e re dhe mendoj se do të ketë bashkëpunim, si midis komuniteteve pakicë dhe midis partive minoritare dhe elementeve të tjerë të qeverisë. Natyrisht, tani kemi mjaft negociata dhe bisedime dhe që është krejtësisht normale. Nëse ju kujtohet, ka pasur raste kur pas zgjedhjeve, me muaj qeveria nuk mund të formohej. Unë mendoj se ky proces do të shkojë shumë më shpejt tani”, ka thënë Kosnett në një intervistë për Radio Kosovën.

Ambasadori Kosnett shtoi se LVV dhe LDK janë të angazhuara për ta ndërtuar një koalicion që do ta përfaqësojë në mënyrë efektive popullin e Kosovës, me bindjen se “më 6 tetor, populli ka votuar për ndryshime, dhe këto parti, janë të përkushtuara për një gjë të tillë”.

Ai ka theksuar takimet që ka pasur me përfaqësuesit e komuniteteve jo-serbe dhe është shprehur i bindur se edhe ata do të largohen nga politika tradicionale për të ndërtuar një të ardhme të mirë për vendin.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.