Kosova

Kosnett kërkon nga prokurorët që ta përfaqësojnë llogaridhënien e jo t’i frikësohen

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett në konferencën vjetore të prokurorëve ka thënë se sot nuk po kërcënohet vetëm shëndeti ynë, por edhe vetë demokracia.

Kosnett përmendi ngjarjet e fundit që ndodhën në Washington kur ndodhi certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

“Si të gjithë ju, edhe unë u trondita nga ngjarjet e kohëve të fundit në Washington. Dhuna politike e 6 janarit ishte përkujtuese e zymtë e brishtësisë së demokracisë, rëndësisë së sundimit të ligjit dhe rrezikut të gënjeshtrave dhe keq informatave.

Sadoqoftë shqetësuese ishin këto ngjarje, kjo nuk është hera e parë që vlerat dhe institucionet tona demokratike janë testuar. Më duket e udhës t’i kthehem historisë për udhëzime.  Një vegëz e përbashkët gjatë historisë, që është e vërtetë në vendin tim dhe tuajin, është se kohët e rrezikshme kërkojnë vepra të jashtëzakonshme nga individët e zakonshëm”, u shpreh Kosnett.

Ambasadori amerikan përmendi edhe kontributin që kishte dhënë Anton Çetta për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës.

Kosnett shtoi se nën kërcënimin e madh personal dhe ndaj familjes së tij, Anton Çetta punoi palodhshëm për të arritur paqe ndërmjet familjeve dhe për t’i dhënë fund brezave të tërë të gjakmarrjes.

Ambasadori në fund porositi prokurorët që të mos i frikësohen llogaridhënies. “Prandaj, prokurorë, mbrojtës të viktimave dhe staf ndihmës – mbani në mend që publiku ju beson që të jeni prijës të sundimit të ligjit. Mos iu frikësoni llogaridhënies – përqafojeni atë. Kërkoni nga vetja, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit.  Kërkoni drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozita e tyre në shoqëri”, u shpreh Kosnett.