OPINION

Korrupsioni i politizuar dhe izolimi faktorizuan fanatizmin politik

Politika e korruptuar dhe heshtja e pragmatistëve zhvilloi fanatizmin në Kosovë. Fara e fanatizmit gjendet në vetë drejtësinë dhe në këtë rrugëtim, mjet të fuqishëm kanë banalitetin.
Shkruan: Bahri BOVOLAKU

Të thuash se në Kosovë nuk ka fanatizëm të llojeve e ngjyrave të ndryshme, është konstatim fare i paqëndrueshëm, pasi ai ekziston dhe njëra ndër arsyet e ekzistencës së tij është mbajtja në izolim nga pjesa e tjetër e botës demokratike, zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik dhe një element që ndërlidhet me konceptim socio-psikologjik se si një brez i percepton gjërat nisur nga pikëpamjet bardhë e zi, koncept ky nga ku buron fanatizmi politik.

Në Gjermaninë e paralufte u krijua një brez i ri i fanatikëve, i cili vepronte siç i pëlqente pa vrarë mendjen se veprimet miratohen nga prindërit e tyre. Edhe në Kosovë ekziston kjo tendencë kur nuk ka dëshirë për ndërlidhje brezore të veprimit. Ky brez politikanësh tek kundërshtarët politik sheh brirë e bishta vetëm, dhe në këtë lojë madje kanë treguar aftësi për të rritur vëmendje. Brezi i tillë që dikur i konsideronim fëmijë të rritur por ca të lazdruar, sot kanë harruar se janë bërë burra e gra që më shumë duhet të kenë përgjegjshmëri për veprimet e deklarimet e tyre publike. Të vërtetat e pjesshme të tyre i kanë shndërruar në të vërteta absolute, duke i përsëritur ato për shumë vite, pa një reagim shoqëror.

Sot, edhe pse me shumë vonesë, ka tendencë për të dhënë kundërpërgjigjen, fanatikët vështirë e pranojnë, pasi që janë mësuar me të vërtetat vetëm të tyre, tani të shndërruara në ideologji. Mendimtarët e konsiderojnë se fanatizmi është sëmundje ngjitëse dhe ilaçi i saj është vështirë të gjendet. Konsiderojnë e humori është si përgjigje e duhur për të krijuar një paqe në kundërshti. Faza e fanatizmit kuptohet se gjendet në vetë drejtësinë dhe në këtë rrugëtim, mjet të fuqishëm kanë banalitetin. Të dy këto elemente, ne si shoqëri i kemi parë. Pra, edhe vetë drejtësinë edhe banalitetin në deklarime e veprime. T’i kritikosh sot për këto veprime, të tillët i kuptojnë si kundërshti ndaj çështjes kombëtare.

Në librin e tij “Si të kurosh një fanatik”, shkrimtari hebre Amos Oz, përshkruan bukur kohën e Jerusalemit të viteve të 40-ta të mbushur me fanatikë. Ai simbolikisht vlerëson se luga e çajit karshi katastrofës së zjarrit është më e mirë se arratia në këtë betejë ndaj fanatizmave. Nëse të gjithë nga një lugë çaji me ujë derdhim në zjarr, gjithsesi është hap më i mirë sesa arratia nga ai. Konsideroj që politika në Kosovë duhet që nga faktori ndërkombëtar të qartësojë kërkesat për ta përmbyllur fazën e izolimit të vendit si mjet për rritje të fanatikëve. Faktori ndërkombëtar, ngjashëm sikur e potencon autori në libër, për këtë rajon duhet ta ketë Planin Marshall të Zhvillimit. Paqja me fanatikët fitohet shumë më lehtë kur Amerika, Japonia e Evropa investojnë në zhvillimin e këtij rajoni. Shumë më i qëndrueshëm, më i lehtë e edhe më pak i kushtueshëm është ky financim sesa ai që me dhunë të synohet të shërohet fanatizmi.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483