OPINION

Koronavirusi/ Pse R0 duhet të jetë më e vogël se 1

Shkruan: Silvia Turin, Corriere della Sera

“Për të ndalur qarkullimin e virusit duhet të zbresim poshtë një të infektuari për një person pozitiv, dhe ne nuk jemi akoma në atë nivel. Nga pikëpamja matematikore, do të mund të besohet se kemi fituar ndaj koronavirusit kur vlera e R0 (indeksi i infektimit) të jetë më pak se 1”, tha në një konferencë për shtyp, presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetit, Silvio Brusaferro.

Çfarë është R0 (R me zero)

Vlera e R0 tregon shkallën e infektueshmërisë së një virusi: nëse kjo vlerë është R0 = 1, do të thotë që një person infekton vetëm një. Nëse vlera është R0 = 2, një person infekton dy vetë. Kjo vlerë varet nga karakteristikat biologjike të virusit, për shembull fruthi është shumë më ngjitës se SARS-CoV-2, dhe arrin deri në R0 = 18, kurse gripi e ka më pak dhe arrin deri në R0 = 1.3. Por jo vetëm kjo, dendësia e popullsisë ka rëndësi, dmth sa njerëz takohen, për sa kohë, kur takohen, etj. Vlera R0 ndryshon me kalimin e kohës.

Synimi është poshtë R0 = 1

Objektivi matematikor është që vlera e R0 të ulet nën 1, sepse siç e kuptoni intuitivisht, nëse R0 = 0.7, kjo do të thotë që një person nuk infekton më askënd (edhe nëse 10 vetë infektojnë 7). Është një vlerë që llogaritet matematikisht dhe hipotetikisht. Në fakt, nëse vlera R arrin 1 ose më pak, epidemia ndalet sepse virusi nuk është në gjendje të vazhdojë. Dhe, ndërsa studime tregojnë se mjaftojnë vetëm katër raste (gjithmonë hipotetikisht) për të shkaktuar një shpërthim tjetër, të njëjtat studime tregojnë se kjo është pothuajse e pamundur me një rast në një kohë.

Në Lombardi arriti deri R0 = 4

Koronavirusi është vlerësuar biologjikisht se ka një vlerë mes 2 dhe 3. Në epiqendrën e epidemisë, në Wuhan, R0 ishte llogaritur relativisht e lartë në nivelin 2 deri 2.5, sipas një raporti zyrtar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në disa zona, veçanërisht kur nuk aplikohet distanca sociale, vlera mund të rritet, sepse afërsia lehtëson qarkullimin e virusit. Një popullsi më e dendur ka një vlerë më të lartë R0. Në disa zona të Lombardisë mund të ketë qenë më e lartë se R0 = 3. Në Itali, një studim i kohëve të fundit, i parishikuar, i realizuar nga studiues italianë dhe grekë, e mati shkallën e infektueshmërisë në Lombardi nga 21 shkurti deri më 8 mars, ditën kur ndodhi bllokimi i parë total, dhe ajo rezultoi në 4.04. Rastësisht, i njëjti studim ka përllogaritur me nivel matematikor edhe datën e shpërbërjes së plotë të epidemisë në fund të majit.