EKONOMI

Koronavirusi mund ta godasë edhe ekonominë e Kosovës

Mbyllja e përkohshme e disa veprimtarive biznesore shkaku i pandemisë COVID19 (koronavirus), edhe pse e domosdoshme, mund të sjellë pasoja për ekonominë e vendit.

Sektorët e transportit, hotelerisë, turizmit, shërbimeve, por edhe sektori i prodhimit, do të preken drejtpërdrejt nga masat për këtë virus.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se është e nevojshme një pako stimuluese për bizneset që pësojnë. Sipas tij, varësisht nga zgjatja e kësaj situate do të jenë edhe pasojat, raporton KOHA.

“Ne kemi propozuar edhe një pako stimuluese, do të insistojmë me i sanua disa prej pasojave, për shembull te pagesat e qirave, te mungesa e qarkullimit e deri te mungesa e punëtorëve në punë apo siç është propozuar në letrën tonë në vlerën e një page minimale të ketë përkrahje qeveria financiare për bizneset”, ka thënë Rukiqi.

Sipas tij, bizneset do të kenë probleme për t’i mbuluar shpenzimet dhe se pasojat do të jenë të rënda për ta dhe mund të ketë edhe largime nga puna.

“Qeveria duhet të krijojë pako për biznese në qoftë se duam m’i mbrojt bizneset, për shkak se të hyrat e shtetit janë nga biznesi. Në qoftë se bizneset kanë probleme, do të ketë probleme edhe shteti. Prandaj, duhet të ndahet buxheti për përkrahje, sepse kemi të bëjmë me një siguri kombëtare. Mosqarkullimi i biznesit, mosfurnizimi i qytetarëve janë siguri nacionale dhe për këtë punë duhet me reagua shteti”, ka thënë ai.

Më 13 mars, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i mbyllë të gjitha kafenetë, qendrat tregtare, tregjet e kafshëve dhe automjeteve. Përjashtim nga këto bëjnë marketet, farmacitë dhe ndërmarrjet prodhuese dhe shërbyese.

Megjithatë, rënia e aktivitetit ekonomik, sipas një dokumenti pozicionues mbi masat kundër COVID-19, të Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS), çon në rritje të papunësisë, rënie të të hyrave tatimore dhe zvogëlime të buxheteve. Edhe pse, sipas ECIKS, masat e ndërmarra nga qeveria janë të mirëseardhura, kufizimi i aktiviteteve do të rëndojë edhe më shumë barrën financiare për këto ndërmarrje.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483