Kombëtare

Korisha e Prizrenit del nga karantina, asnjë rast i ri me Covid-19 në dy javë

Patrullat e Policisë së Kosovës, të premten në mesditë, janë larguar nga hyrje-daljet e fshatit Korishë, pasi që niveli qendror ka marrë vendim që ta heqë masën e karantinimit për këtë vendbanim.

Heqja e kësaj mase ishte kërkuar dy herë nga banorët, raporton KOHA.

Fshati ishte në izolim pas një rasti të infektimit me koronavirus, që ka përfunduar me fatalitet.

“Sot në mesditë kemi marrë informacionin zyrtar se Korisha lirohet ose hiqet nga pjesa e izoluar apo e karantinës. Mirëpo, nuk do të thotë se qytetarët e Korishës do ta kenë lëvizjen e lirë, por do t’i respektojnë edhe vendimet e MSH-së për ruajtjen e shëndetit, duke i respektuar oraret që i kanë paraparë”, ka thënë Rexhë Ukaj, nënkryetar i Shtabit emergjent në Korishë.

Ai ka shtuar se lëvizja 90-minutëshe brenda 24 orëve është e pamjaftueshme, shkaku i stinës së pranverës kur edhe intensifikohen punët.

Ndërkaq, koordinatori i Shtabit emergjent komunal, Visar Shehu, ka pohuar se niveli qendror ka marrë një vendim të tillë për Korishën, pasi brenda dy javëve nuk ka pasur raste të reja të infektimit me koronavirus.

“Dje kemi kontaktuar me MSH-në, edhe sipas kërkesës së banorëve, meqë brenda dy javëve nuk ka pasur asnjë të infektuar të ri, i bie që nga sot fshati Korishë më nuk është në karantinë. Gjithë Komuna e Prizrenit është në karantinë, është edhe fshati Skorobisht si karantinë brenda karantinës, për shkak se deri tani ka 7 të infektuar me koronavirus”, ka thënë Visar Shehu, koordinatori i Shtabit emergjent komunal.

Ai ka bërë të ditur se nga shtabi lokal i Skorbishtit janë pranuar kërkesat për banorët dhe se janë dërguar pako ushqimore e higjienike, derisa në ambulantë janë dërguar medikamente shtesë për personat me sëmundje kronike.

Javën e shkuar, zyrtarët komunalë patën paraqitur kallëzim penal në Prokurori kundër opozitarëve nga PDK-ja, të cilët realizuan një vizitë në fshatin Korishë.

Sipas drejtuesve të Komunës, hyrja e opozitarëve ka qenë e paautorizuar në zonën karantinë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.