KULTURË

Kori në kapitullin e magjisë së tingujve bashkëkohorë

Siç është bërë e zakonshme tashmë, publiku i Korit të Filarmonisë së Kosovës zë vendet goxha kohë para se anëtarët e formacionit të dalin në skenë. Kisha “Shën Ndou” në Prishtinë ka kohë që është “stacion” i Korit për performanca.

Të enjten mbrëma, publiku ka pritur koncertin e radhës me një varg premierash, nga kompozitorë vendorë e të huaj. Sezoni i ri vjeshtor i Korit ka nisur duke përmbyllur edicionin e dytë të “Prishtina Internacional Vocal Festival”. Pas përshëndetjes së dirigjentit spanjoll Fernando Briones, të pranishmit janë futur në botën e muzikës korale me veprën “Ohtul” të Part Uusberg. Ambienti kishtar ofron një mundësi të mirë sa i përket interpretimit të veprave korale. Vepra e Uusbergut ishte një intro për të vazhduar me atë të Johan Sebastian Bachut, “Come sweet Death”. Megjithëse në përkthim i bie që të ftohet “vdekja e ëmbël”, të pranishmëve vetëm të fundit nuk u ka shkuar mendja gjatë performancës. Nën dirigjimin e Briones, koristët e kanë shndërruar ambientin në një hapësirë ku njerëzit notonin nëpër tingujt e pianos interpretuar nga Artemida Qarri-Haxhiaj dhe në potencialin e zërit. Kisha është shndërruar për më shumë se një orë në sallë koncertale ku interpretojnë formacione të rralla. Jo shumë filarmoni shtetërore kohëve të fundit kanë në përbërjen e tyre kore, e ajo e Kosovës llogaritet që e ka këtë ansambël, ai del të jetë me potencial të lartë.

Hajrullah Syla, përveç drejtor i Festivalit, në këtë mbrëmje është prezantuar edhe si kompozitor me “Ubi Caritas”. Vepra e tij që për të cilën kishte nisur të punonte më herët, por kohëve të fundit ia ka vënë pikën, ka zgjuar mjaft interes. I është kushtuar një prej sopranove më të mira që ka vendi, Adelina Palojës, personazhi kryesor në interpretimin e saj. Me muzikë shumëngjyrëshe që prek kontemporanen e ecën nëpër klasike, vepra e Sylës ka dëshmuar edhe njëherë aftësitë e tij.

Të veshur në të zeza, anëtarët e Korit, me një pauzë të shkurtër midis koncertit, kanë interpretuar edhe veprat si “Ave Maria” të José Fajardos, “O lux beata Trinitas” të Ko Matsushitas, “Eja larg: vdekja”, “Ninullë”, e “Këngë Shekspiriane” të Jaakko Mantyjarvi.

“With a lily in your hand” e Eric Whitacres ka bërë që të gjithë të kenë nga një dritë në dorë. E një prekje e gotave ka bërë që të krijohen tingujt të pazakontë. Kjo ka marrë vëmendjen maksimale të publikut, duke e futur atë në një botë më ndryshe të muzikës si në aspektin vokal edhe në atë estetik. Në repertorin me 13 vepra ka dominuar stili bashkëkohor. Kjo si për të dëshmuar se muzika s’njeh kufij dhe është bota që lëviz përherë.

Dirigjenti, Fernando Briones, i cili për herë të katërt ishte në Prishtinë ka thënë se kësaj radhe ka qenë kënaqësi të punohet me Korin e Filarmonisë së Kosovës.

“Shpresoj që të kthehem prapë. Kam zgjedhur këto vepra për publikun e Kosovës. Janë pjesë e shijes së këtij publiku. Dy kompozitorët spanjollë janë shumë të mirë. Njëri është edhe mik i imi”, ka thënë ai. Dirigjenti që është vlerësuar lart për nivelin e tij profesional, ka thënë se bëhej fjalë për një program shumë të mirë.

“Festivali ka një nivel shumë të lartë. Programi secilën ditë ishte shumë i mirë dhe mbylljen e kemi pasur shumë të mirë dhe është mirëpritur nga publiku”, ka thënë ai.

Kompozitori Hajrullah Syla, në mbrëmjen e së enjtes, ka përjetuar interpretimin premierë të veprës së tij dhe ka përmbyllur edhe edicionin e dytë të Festivalit. Ai ka thënë se një festival me numër të madh pjesëmarrësish është e vështirë të organizohet. Por, sipas tij, dashuria e vullneti për punë e bën këtë më të lehtë.

“Kemi vendosur ta mbyllim Festivalin bashkë me Korin sikurse vitin e kaluar. Vepra ime është kompozuar një muaj më herët. I është dedikuar sopranos Adelina Paloja dhe ka ardhur si motiv i teknikës vokale të saj”, ka thënë ai.

Si një mbrëmje të nivelit të lartë e ka përshkruar atë akademik Zeqirja Ballata. Pas koncertit ai ka uruar dirigjentin dhe koristët bashkë me kompozitorin Hajrullah Syla.

“Mendoj se përgjithësisht ishte një mbrëmje shumë e këndshme, e përgatitur me shumë kujdes nga Kori e dirigjenti”, ka thënë ai derisa ka uruar ata për nisjen e sezonit të ri koncertal.

Për sopranon Adelina Paloja koncerti ka qenë një përjetim i dyfishtë. Si soliste ka sjellë veprën kushtuar asaj.

Ka thënë se ishte një ndjenjë e shkëlqyer të interpretojë këtë vepër premierë që Syla e ka shkruar për të. “Ishte sfidë e përgjegjësi për shkak të dedikimit. Jam shumë e lumtur që publiku e mirëpriti. Një Festival i tillë ishte nevojë e Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi”, ka thënë ajo. Koncerti në përgjithësi ishte një kombinim i disa formateve. Disa vepra janë përcjellë edhe nga kuarteti harkor i Filarmonisë së Kosovës, ku bëjnë pjesë Gëzim Latifi (violinë), Erlinda Gashi (violinë), Arianit Shehu (violë) dhe Antonio Gashi (violonçel).

“Prishtina Internacional Vocal Festival” sivjet solli tri koncerte. Nisi më 7 tetor me koncertin që bashkoi “Orkestrën e të Rinjve të Kosovës”, korin gjermano-amerikan “GACC” dhe atë të shkollës së muzikës “Halit Kasapolli” të Pejës, që sollën 14 arie operistike. Koncerti i dytë qe ai i së martës së kaluar me ansamblin e njohur anglez “The King’s Singers”. Seksteti me traditë 51-vjeçare, fitues i dy çmimeve “Grammy”, solli një udhëtim nëpër kohë e në vende të ndryshme.