Kosova

Koordinatori Hoti u dhuron libra nxënësve shqiptarë në Gjermani

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, është takuar me mësimdhënës, prind e nxënës shqiptarë në Gjermani të cilëve u ka dhuruar libra dhe u ka ndarë mirënjohje si shenjë falënderimi për zhvillimin e gjuhës shqipe.

Në takimin e organizuar nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari, koordinatori Hoti foli për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, traditës e kulturës shqipe në diasporë. Po ashtu, ai foli edhe për mundësinë që Programi Nacional për Rininë ofron për nxënësit shqiptar në diasporë.

“Ne kemi ardhur këtu për të mbajtur një premtim që ju dhamë në shenjë respekti dhe mirënjohje për ju të dashur nxënës që e bëni në rrethana shumë të vështira mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Nxënës të dashur, përmes librit ju mund ta krijoni personalitetin tuaj, të formësoheni në mënyrën më të mirë të mundshme për të ardhmen tuaj. Të gjithë ne shqiptarët, në Ballkan apo kudo nëpër Evropë ku jemi shpërndarë tash e 600 vjet, duhet të kuptojmë se e ardhmja jonë nuk mund të ndërtohet pa u përkushtuar ne për juve. E them këtë në kuptimin e arsimimit sepse pa arsimimin e juaj ne nuk mund ta përjetojmë as lirinë, as Kosovën, as Shqipërinë e vise tjera. Ju sot keni fatin t’i përfaqësoni ata dhjetëra mijëra nxënës gjithandej nëpër diasporë dhe të merrni nga një set me libra, qoftë edhe në mënyrë simbolike ta kuptoni që ju jeni pjesa jo vetëm e pandashme e shqiptarëve që jetojnë në Ballkan, por që jeni edhe pjesa më e rëndësishme dhe vitale e popullit tonë”, tha Koordinatori Hoti, transmeton Kosova.info.

I pranishëm në këtë event ishte edhe Konsulli i Republikës së Shqipërisë në Gjermani, Dashnor Ibraj, i cili ndër të tjera tha se dhurimi i librave për nxënësit shqiptarë në Gjermani është një hap i duhur për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe se duhet të vazhdojë bashkëpunimi mes shtetit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë në këtë aspekt.

Në emër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari, foli kryetari Milazim Ukaj i cili tha se po punojnë shumë që gjuha shqipe të mos harrohet.

“Falënderoj Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, që mbajti premtimin e tij që na dha. Ai tha se do të sjell libra për nxënësit shqiptar dhe ja sot jemi këtu në këtë takim pune dhe ceremonial të ndarjes së tyre”, tha Ukaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.