Kombëtare

Koordinatori Hoti shpërndan librat në Drenas

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti dhuroi sot sete me libra për nxënësit fitues të komunës së Drenasit. Gjithsej shpërndau 260 sene për fituesit e garës Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë.

Në ceremoninë e ndarjes së librave, Koordinatori Hoti pasi i uroi nxënësit për sukseset e arritura në garë, tha se ata po shpërblehen me libra sepse përmes leximit atyre u jepet mundësia për t’i arritur gjërat më të bukura në jetë.

“Me vite të tëra arsimi ka qenë në shërbim vital të ruajtjes së qenies sonë kombëtare dhe sot më lejoni t’ju them nxënës se në nivelin e republikës së Kosovës, në garat që ne kemi mbajtur kemi gjithsej 44723 fitues të vendeve të para në të gjitha nivelet e garave. Kjo do të thotë se në Republikën e Kosovës ekziston energjia, vullneti e gatishmëria e njerëzve që realisht ta bëjnë arsimin dhe ne jemi të bindur nga puna që ju e keni dëshmuar kjo do të bëhet shumë më shpejt. Të dashur nxënës sot ju po shpërbleheni me librat të letërsisë më të bukur të të gjitha kohërave përmes librit ju keni mundësi të dëshmoni se do ta bëni edhe të ardhmen tuaj të bukur ashtu siç janë edhe librat”, tha Hoti.

Edhe nënkryetari i komunës së Drenasit, Nazmi Hasi ndër të tjera foli edhe për rëndësinë që ka libri e leximi. Ai tha “jam i nderuar dhe i privilegjuar që në mesin tonë e kemi Koordinatorin Hoti dhe që unë gjendem në mesin tuaj në këtë solemnitet, në ndarjen e shpërblimeve nga Koordinatorit Hoti. Shpërblimi më i mirë për ju nxënës të dashur natyrisht se është libri, fuqia e tij është shumë e madhe dhe magjike”.

I pranishëm në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve ishte edhe drejtori komunal i arsimit Muhamet Gjoka. Ai tha se pavarësisht që teknologjia po merr vëmendjen e të gjithëve asnjëherë nuk i humbet rëndësia librit.

“Edhe pse sot jetojmë në epokën e teknologjisë libri nuk e humb vlerën kurrë. Prandaj jemi këtu për ta dëshmuar dhe për t’ju bërë thirrje edhe këtyre brezave të ri të cilët po rriten në epokën e teknologjisë se librit nuk i ka rënë vlera asnjëherë dhe se si është ushqim i shpirtit dhe mendjes. Nuk është thënë kot që një popull është i robëruar kur nuk e ka lapsin, lapsi nënkupton librin prandaj ju bëjë thirrje që të lexoni sa më shumë sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta drejtojmë një brez të gjeneratës së re. Pra të dashur nxënës libri nuk është dal nga moda, nuk është demode, andaj lexoni sa më shumë”, tha Gjoka.

Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve morën pjesë edhe zyrtarë të tjerë institucional, drejtor shkollash, mësimdhënës, nxënës e prindër. Nxënësit u shprehën të kënaqur me shpërblimin e librave dhe thanë që mezi presin t’i lexojnë.​ /Kosova.info/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483